AktualitetTë fundit

Ambasada e SHBA dhuron pajisje logjistike për Drejtorinë e Antiterrorit

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë i dhuroi dje Drejtorisë së Antiterrorit dhe Mjekësisë Ligjore Kompjuterike pranë Institutit të Policisë Shkencore në Policinë e Shtetit, trajnime dhe pajisje me vlerë 385,000 dollarë nga programi i Asistencës për Trajnimin AntiTerrorizëm (ATA) të Departamentit të Shtetit të SHBA.

Dhurimi është pjesë e një pakete më të madhe ndihme prej 1.2 milionë dollarësh nga Shërbimi Diplomatik i Sigurisë për të trajnuar dhe pajisur agjencitë partnere të zbatimit të ligjit.

Dhurimi përbëhej nga programe kompjuterike dhe serverë që do të ndihmojnë Policinë e Shtetit në marrjen e informacionit nga pajisjet e jashtme për të zbutur kërcënimet e mundshme.

Zëvendësshefi i Misionit, Demian Smith, Oficerja Rajonale e Sigurisë, Karen Riley dhe Drejtori i Policisë së Shtetit Shqiptar, Muhamet Rrumbullaku, shqyrtuan dhe nënshkruan memorandumet ku renditeshin artikujt e dhuruar.

 

Fraksion.com