Akuzat ndaj Ahmetajt, Rama: Nuk bëj komente mbi copa të dhënash që janë të gjitha për t’u hetuar
Kryeministri Edi Rama iu përgjigj sot interesimit të medies mbi publikimet në disa medie që përfshijnë Arben Ahmetajn në çështjen e “Inceneratorëve”, ndërsa u shpreh se “nuk ka asnjë koment për të bërë, thjesht sepse nuk mundet dot të ngrihen akuza dhe të bëhen spekulime e komente mbi copa të dhënash që janë të gjitha për t’u hetuar, për t’u vërtetuar, për t’u gjykuar”.
“Kur të hetohen, kur të vërtetohen janë të vërteta, s’janë të vërteta, çfarë përmbajtje kanë, si janë e të tjerë dhe kur, nëse do të ketë një vendim mbi to, atëherë unë siç kam folur gjithmonë, do të flas përsëri. Unë nuk flas të bëj muhabet këtu, sepse ka një muhabet për t’u bërë dhe sepse ka interes për të marrë nëpër gojë njerëzit”, tha ai.
Rama tha se “në medie janë publikuar edhe të tjera gjëra që lidhen me adresime të individëve, të grupeve, të faktorëve të caktuar drejt SPAK-ut, edhe për politikanë, të cilët ju i keni pranë dhe për të cilët nuk më rezulton që të më keni pyetur mua dhe as t’i keni thënë publikut se ka ndodhur dhe kjo dhe ne nuk kemi bërë komente. Ne nuk bëjmë komente të tilla”.
“Unë e dhashë përgjigjen, nuk akuzova dhe nuk akuzoj askënd. Unë po them që, e para njëherë, në medie dalin shumë gjëra dhe respekti im për median në raport me të vërtetën është i mirënjohur. Media është e dyndur në gjysmë të vërteta që janë dhe gënjeshtrat më të mëdha, por në rastin konkret bëhet fjalë për diçka që lidhet me një proces dhe bëhet fjalë për një denoncim që një individ i caktuar ka bërë në SPAK dhe ne as për njerëz që janë në Partinë Socialiste, as për njerëz që janë kundër Partisë Socialiste, as për ish- president Republike, as për ish-kryeministra e të tjerë, nuk e kemi zakon të prononcohemi kur bëhet fjalë për pikërisht këtë lidhje dhe unë të gjitha çfarë thuhen në media i marr me shumë rezervë”, tha ai.
Kryeministri theksoi se “procesi ka punën e vetë dhe të vërtetat individuale të secilit, janë të vërteta individuale”.
“Unë di që edhe një herë tjetër dhe e përsëris meqë ma thatë, që janë tre vepra në Fier, në Elbasan dhe në Tiranë për të cilat 100 herë të kthehesha mbrapsht, 100 herë do thoja që duhen bërë dhe të cilat sot janë në shërbim të komuniteteve. Ajo e Elbasanit është pronë e komunitetit tanimë, pra investim i bërë që është sot pronë e komunitetit. Ajo e Fierit është e destinuar të jetë pronë e komunitetit. Ajo e Tiranës ka shpëtuar njëherë e mirë Tiranën nga plehrat dhe nga e gjithë thagma. Koncepti është shumë i thjeshtë. Nëse ne nisemi në një betejë dhe kemi një qëllim të caktuar dhe rrugës dikush apo disa që janë nisur për të arritur atë qëllim, këpusin edhe dardha dhe mollë për t’i futur në trasta mbas shpinës time, kjo është një çështje që nuk e kanë me mua, e kanë me drejtësinë”, tha ai.
Fraksion.com