AktualitetKosovaNATO/BETë fundit

Stoltenberg për situatën në Veri të Kosovës: Trupat tona janë të afta dhe në gatishmëri

NATO dhe BE po bashkëpunojnë ngushtë lidhur me tensionet e krijuara në Kosovë, deklaroi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në një intervistë për stacionin televiziv francez, France 24.

”NATO është shumë e fokusuar në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor. Ne kemi një histori të gjatë atje, pasi kemi ndihmuar në ndalimin e dy luftërave etnike. Fillimisht në Bosnje-Hercegovinë dhe më vonë në Kosovë. Natyrisht, ne jemi ende të pranishëm atje. Trupat e KFOR-it numërojnë mbi 4 000 ushtarë dhe ata luajnë një rol kyç në stabilizimin e situatës”, deklaroi Stoltenberg.

”Trupat tona janë të afta dhe në gatishmëri. Ata po monitorojnë me kujdes situatën. NATO dhe BE bashkëpunojnë shumë ngushtë me njëra-tjetrën dhe mesazhi im për të dyja palët është që të përmbahen nga përshkallëzimi dhe retorika provokuese. Unë bëj thirrje për çtensionimin e situatës në Kosovë”, theksoi Stoltenberg.

Ndërkohë, ai shtoi se ”çdo përdorim i armëve bërthamore në Ukrainë do të kishte pasoja të rënda dhe dramatike për Rusinë” duke e quajtur retorikën bërthamore të presidentit rus Vladimir Putin si “të pamatur dhe të rrezikshme”.

”Megjithatë, besoj se mundësia e çdo përdorimi të armëve bërthamore në Ukrainë nga Rusia mbetet e ulët”, tha ai.

 

Fraksion.com