Prezantohen 700 ekipe sportive të shkollave, Rama: Nga kjo lëvizje do të dalin kampionë
Në stadiumin “Air Albania” u zhvillua sot ceremonia e hapjes të projektit “Ekipet Sportive në Shkolla”.
Ky projekt përfshin 10.000 të rinj të ekipeve sportive në volejboll dhe basketboll nga 61 qytete të Shqipërisë.
Janë formuar rreth 700 ekipe basketbolli dhe volejbolli për të dyja gjinitë, në arsimin parauniversitar dhe duke filluar nga janari do krijohen edhe ekipet me të rinjtë e universiteteve.
Çdo protagonist, do të marrë falas të gjithë bazën e nevojshme materiale. Një proces që ka filluar në muajin nëntor dhe deri më tani, në të gjitha qarqet, janë pajisur me materiale sportive rreth 8300 nxënës.
Kryeministri Edi Rama, e cilësoi këtë ceremoni si ngjarja më e bukur sportive e vitit, me prezantimin e 700 ekipeve sportive të shkollave nga e gjithë Shqipëria.
Në fjalën e tij, Rama u shpreh se, “në këtë stadium fjala më e bukur që mund të thuhet është fjala Shqipëri. Prandaj ai u bëri thirrje të rinjve që të thërrasin, “Shqipëri, Shqipëri, Shqipëri.
“Në këtë lëvizje të madhe sportive, e cila sapo ka nisur me siguri do të dalin edhe ata kampionë që do të ngrenë lart flamurin e Shqipërisë. Do të dalin edhe ata që do të nderojnë, jo vetëm veten, jo vetëm prindërit, por mbarë kombin shqiptar”, tha Rama.
Ndërkohë, shtoi kryeministri, “për të gjithë të tjerët, kjo është një lëvizje për shëndetin. Kjo është një lëvizje për mendje të shëndoshë në trup të shëndoshë. Kjo është një lëvizje për të kaluar së bashku orët e lira, duke u argëtuar, duke u shoqërizuar, duke garuar me njëri-tjetrin dhe në fund duke fituar. Paçi vetëm fitore”.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi u shpreh se projekti ‘Ekipet sportive në shkolla’ synon që në shkollë të zhvillohet edhe mësim, por fëmijët nga ana tjetër të argëtohen.
“Projekti që konsolidon të gjitha reformat që kemi marrë në këto vite për sportin. Kam një thirrje, sporti është jetik për shëndetin fizik, mendor social, ju mëson leksionet më të mira për jetën, disiplinën, punën në skuadër. Ta kthejmë shkollën në një vend ku edhe mësohet por edhe luhet. Ta kthejmë shkollën në vendin ku ka gjallëri, por edhe jetë të shëndetshme”, apeloi Kushi.
Ministrja e Rinisë dhe Fëmijëve, Bora Muzhaqi u tha të rinjve se pas krijimit të këtyre ekipeve sportive do të zhvillojnë edhe kampionate në rang qarku, por edhe nivel kombëtar.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se vitin tjetër të rinjtë do kenë shumë aktiviteti sportive duke qenë se Tirana ka marrë stafetën si ‘Qyteti Europian i Sportit’.
“Krenar për ju, s’kishte mënyrë më të bukur për ta mbyllur vitin si Tirana kryeqyteti europian i rinisë. Mezi pres që vitin tjetër kur Tirana është qyteti europian i sportit, të kemi vitin më të bukur për çunat e gocat e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë. Sot çunat e gocat e Shqipërisë janë kombëtarja jonë e re”, u shpreh Veliaj.
“Ky është eventi më i mrekullueshem që unë kam qenë ndonjëherë dhe jo vetëm në Shqipëri. Në emër të UNICEF dua të falenderoj të gjithë autoirtet që janë këtu dhe më ftuan. Vazhdoni kështu dhe mos harroni: Mendje e shëndoshë në trup të shëndoshë,” tha përfaqësuesi i UNICEF.
Gjatë këtij eventi nxënësit nga e gjithë Shqipëria dhuruan spektakël me performancat e tyre të kërcimit dhe sportive.
Më pas parakaluan të gjitha ekipet pjesëmarrëse nga 61 bashkitë e vendit. Flamuri i bashkive mbahej nga një djalë dhe një vajzë që simbolizonte barazinë gjinore dhe tabela me ermin e bashkisë mbahej nga një vajzë e veshur me kostumin popullor të zonës.
Fraksion.com