AktualitetKosovaRajoniTë fundit

Petkoviq: Serbët janë ngopur dhe nuk durojnë më

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është “i vetmi që dëshiron konflikte dhe luftë” dhe se “Beogradi dhe populli serb dëshirojnë paqe dhe gjithmonë insistojnë në paqe”.

“Populli serb është ngopur me terrorin e Kurtit dhe nuk do të durojmë më, populli serb do të përgjigjet me gjithë çka ka kundër agresionit të Kurtit”, tha ai përmes një postimi në Facebook, duke mos ofruar dëshmi për pretendimet e bëra.

Ky reagim i Petkoviqit vjen në kohën e rritjes së tensioneve në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Serbët lokalë në veri të Kosovës ngritën barrikada më 10 dhjetor, në shenjë kundërshtimi lidhur me arrestimin e Dejan Pantiqit, ish-pjesëtar i Policisë së Kosovës. Autoritetet në Kosovë thanë se ai kishte organizuar “sulmin terrorist” ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri më 6 dhjetor.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kërkoi që barrikadat të hiqen menjëherë dhe akuzoi Serbinë se po ushtron “agresion” ndaj Kosovës, duke paralajmëruar se dëshiron të dërgojë trupa ushtarake dhe policore në Kosovë.

Më herët gjatë të shtunës, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se do t’i drejtohet KFOR-it për t’i kërkuar kthimin e trupave ushtarake dhe policore serbe në Kosovë. Kjo, sipas tij, i lejohet Serbisë, në bazë të rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Që nga 6 dhjetori, në katër komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – janë shënuar disa incidente të armatosura.

Sulme ka pasur edhe ndaj Policisë së Kosovës. Më 8 dhjetor, një polic u plagos lehtë, ndërkaq të shtunën, Policia tha se në tri raste ka pasur të shtëna me armë zjarri drejt zyrtarëve policorë nga “grupet kriminale”, duke shtuar se policët janë kundërpërgjigjur me zjarr.

Për shkak të situatës në veri të Kosovës, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, vendosi që të shtyjë zgjedhjet lokale në katër komunat veriore për prillin e vitit të ardhshëm.

Paraprakisht, zgjedhjet ishin caktuar që të mbaheshin më 18 dhjetor në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq. Këto komuna, që nga nëntori kanë mbetur pa kryetarë, pas dorëheqjes së tyre./REL

 

Fraksion.com