AktualitetBota+Të fundit

Britanikët: Irani mbështetësi kryesor i ushtrisë ruse

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy njoftuan se forcat ruse kanë shkatërruar qytetin Bakhmut, ndërsa po përpiqen të marrin nën kontroll provincën Donetsk, në lindje të Ukrainës. Kievi njoftoi se të shtunën se disa pjesë të vendit u goditën me raketa nga ajri e toka. Sipas Ministrisë britanike të Mbrojtjes, Irani është bërë tashmë furnizuesi dhe mbështetësi kryesor i ushtrisë ruse.

Luftimet më të fundit në Ukrainë janë përqëndruar në katër provincat që aneksoi në mënyrë të paligjshme Presidenti rus Vladimir Putin në fund të shtatorit. Ky është një tregues i vështirësive të Rusisë për të vendosur kontrollin mbi këto rajone dhe i këmbënguljes së Ukrainës për t’i rimarrë ato.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se situata vazhdon të jetë shumë e vështirë.

“Situata në front vazhdon të jetë shumë e vështirë në zonat e Donbasit, në Bakhmut, Soledar, Maryinka, dhe Kreminna. Prej kohësh nuk ka mbetur më ndonjë hapësirë e jetueshme në këto zona që të mos jetë dëmtuar nga predha dhe të shtënat. Pushtuesit realisht e shkatërruan Bakhmutin, një tjetër qytet në Donbas që ushtria ruse e shndërroi në rrënoja”, tha Presidenti Zelenskyy.

Presidenti ukrainas nuk shpjegoi se çfarë nënkupton me fjalën “i shkatërruar”. Në qytet ende dallohen godina që nuk janë shembur dhe civilë që lëvizin nëpër rrugë.

Sipas shtabit të përgjithshëm të ushtrisë ukrainase, pati rreth 20 goditje ajrore dhe rreth 60 sulme me raketa nga dita e premte deri në të shtunën. Sipas zëdhënësit ushtarak Oleksandr Shtupun, luftimet më aktive ishin përreth qytetit Bakhmut, ku forcat ruse goditën mbi 20 qendra të populluara.

Pasi forcat ukrainase çliruan qytetin Kherson rreth një muaj më parë, beteja u intensifikua përreth qytetit Bakhmut, duke dëshmuar kështu dëshirën e Presidentit rus Putin për të arritur suksese në fushëbetejë pas disa zmbrapsjesh nga territori ukrainas.

Ministria britanike e Mbrojtjes tha se tashmë Irani është bërë mbështetësi kryesor për ushtrinë ruse. Në një përditësim të të dhënave të zbulimit thuhet se “Rusia është duke u përpjekur që të sigurojë më shumë armatime, përfshirë qindra raketa balistike. Në këmbim, Rusia ka shumë të ngjarë se po i ofron Iranit një mbështetje të paprecedentë ushtarake dhe teknike, që po transformon marrëdhënien e tyre”.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, tha se Uashingtoni është thellësisht i shqetësuar nga “partneriteti që po thellohet dhe po zgjerohet në fushën e mbrojtjes” mes Iranit dhe Rusisë, dhe se Shtetet e Bashkuara do të vënë në përdorim mjetet e tyre për ta ndërprerë këtë marrëdhënie.

Zoti Kirby tha se Shtetet e Bashkuara do t’u bëjnë thirrje vendeve partnere për të diskutuar dhe për të reaguar ndaj partneritetit Rusi-Iran.

 

Fraksion.com