Rama: Harmonizimi me vlerat euroatlantike, orientim kombëtar i Shqipërisë dhe Kosovës
Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në TRT World Forum, një platformë e njohur për cilësinë e debateve mbi axhendat globale dhe rajonale, e cila mbledh çdo vit në Stamboll, Turqi, politikëbërës e vendimmarrës të lartë.
Forumi është ndër të tjera një mundësi për akademikët, gazetarët, politikanët dhe anëtarët e shoqërisë civile që të përballen me sfidat e kohës sonë dhe të kontribuojnë në avancimin e paqes, sigurisë dhe prosperitetit në mbarë botën.
“Hartëzimi i së ardhmes: Pasiguritë, realitetet dhe mundësitë”, ishte tema e forumit të këtij viti, të cilit kryeministri Rama iu adresua me një fjalë ku theksoi se “Turqia është një fuqi rajonale dhe për rajonin tonë, për Ballkanin Perëndimor është vendimtare. E vërteta është se sistemi ndërkombëtar europian që ka hedhur bazat për sistemin ndërkombëtar të shekullit XX nuk ka arritur të bëjë pjesë të saj dy aktorë shumë të rëndësishëm të kontinentit tonë, Turqinë nga njëra anë dhe Rusinë nga ana tjetër. Në garën aktuale gjeopolitike, Turqia ka dëshmuar se është kontribuuese mjaft e veçantë dhe e pazëvendësueshme, për sigurinë globale dhe europiane, përmes qasjes së saj elastike pragmatike, si dhe kultivimit të një morie partneritetesh të forta”.
“Turqia, në të vërtetë, ka shërbyer dhe mund të shërbejë, siç po dëshmojmë edhe këto ditë, si një ndërmjetëse për shumë mosmarrëveshje që lidhen me sigurinë tradicionale, me sfidat më të reja të sigurisë në fushën e energjetikës, furnizimit me ushqim dhe migracionit. Turqia ka një qasje gjeopolitikë shumëplanëshe dhe një optikë strategjike. Ajo kupton thellësisht Lindjen e Mesme dhe Mesdheun, e po kaq është edhe e angazhuar me Azinë Qendrore dhe rajonin e Detit të Zi. Por po kështu, kjo ka të bëjë edhe me rolin e Turqisë në luftën midis Rusisë dhe Ukrainës, si një shembull tipik i aktivizmit të Turqisë si fuqi e mesme botërore”, tha Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se “siç ka thënë një mendje brilante si Ivan Krastev, “Presidenti Recep Tayyip Erdogan iu ka qëndruar larg aleancave të luftës së ftohtë, duke farkëtuar në mënyrë gjeniale një ambicie kameleonike për të qenë nusja në çdo dasmë dhe foshnja në çdo pagëzim. Besnike ndaj mënyrës së saj, Ankaraja ka lënë më në hije identitetin e vet si anëtare e NATO-s dhe aleate e SHBA-së në këmbim të rolit për ndërmjetësin midis Moskës dhe Kievit””.
Rama tha se “lufta në Ukrainë ka qenë moment vendimtar për komunitetin e sigurisë europiane dhe perëndimore. Në harkun e pak muajve madje të pak javëve, ne pamë transformimin e një fqinji të mënjanuar në dyert e Europës në një agresor të vendeve evropiane. Në fakt, shenjat kanë qenë të pranishme qysh nga pushtimi i Krimesë që duhej të kishte qenë një vijë e kuqe e panegociueshme si për BE, ashtu edhe për NATO-n, për të gjithë ne në perëndim. Por ne vazhduam jetonim me iluzionin që një transgresion kaq i madh, do të çonte thjesht në një konflikt të vazhdueshëm të ngrirë pa pasoja reale apo të dukshme për sigurinë perëndimore, por këto iluzione u shembën nga agresioni rus në 24 shkurt të këtij viti”.
Sulmi kundër Ukrainës, vijoi Rama, nuk ka të bëjë vetëm me Ukrainën.
“Është një sulm kundër të gjithë komunitetit euroatlantik. Kriza e çmimit të energjisë dhe inflacioni i luftës janë armët që synojnë të gjunjëzojnë pjesën tjetër të Evropës e të ndryshojnë arkitekturën e sigurisë së kontinentit tonë. Ballkani Perëndimor prej nga unë vij është një rajon i mbushur me dobësi mjaft specifike dhe i ekspozuar në mënyra mjaft të veçanta ndaj sfidave që rrjedhin prej garës më të fundit gjeopolitike, llojeve të reja të kërcënimeve të sigurisë dhe sidomos nga konflikti në Ukrainë. Ndryshe nga pjesa tjetër e Europës, ne në Ballkanin Perëndimor kemi vende ku mbi 70% e popullsisë ende beson se Rusia nuk është agresore dhe se Putini nuk është fajtor, por një udhëheqës të cilit mund t’i besohet të sjellë siguri në Europë dhe të ndryshojë ekuilibrin e pushtetit në kontinentin tonë. Kemi vende, konkretisht si Serbia apo dhe Republika Srpska për të cilat mos harmonizimi me vlerat euroatlantike është pjesë e identitetit të tyre, orientimi i tyre kombëtar, ndërkohë që harmonizimi me vlerat euroatlantike si pjesë e orientimit kombëtar është veçanërisht rasti i Shqipërisë dhe i Kosovës”, nënvizoi Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se “po pak a shumë kjo vlen dhe për Maqedoninë e Veriut dhe deri diku për Malin e Zi. Saktësisht për shkak të këtyre dallimeve mjaft të rëndësishme që është kaq e rëndësishme për rajonin që të ketë një partner strategjik si Turqia në aspektin diplomatik, politik dhe ekonomik. Është po kështu shumë me rëndësi që t’u thuhet qartë dhe me zë të plotë miqve tanë europianë dhe amerikanë se në Europën Juglindore dhe veçanërisht në Ballkanin Perëndimor, Turqia nuk është një fuqi e tretë, nuk është një tjetër “i huaj” në pjesën tonë të Europës sepse një pjesë kuptimplotë e historisë sonë të shtet formimit po edhe integrimit tonë në komunitetin euroatlantik është e ngërthyer me historinë dhe rrugëtimin e Turqisë”.
Rama tha se “më lini t’ju çoj pak mbrapa për një moment, tek ai moment vendimtar në historinë europiane ku Turqia, e vetme, përballoi krizën e migracionit të shkaktuar nga lufta në Siri, nga 2016 e më këtej. Pa Angela Merkelin, fytyra e Europës nuk do të shpëtohej.
Ishte ajo që qëndroi në këmbë në mes të asaj krize të madhe, duke i mirëpritur migrantët në Gjermani. Por pa Recep Tayyip Erdogan, muret e Europës nuk do të kishin qëndruar në këmbë”.
Turqia, theksoi Rama, është kyç për stabilitetin e Europës dhe po të përfytyronim për një moment të vetëm të kundërtën, mendojeni se sa frikshëm do të binte Europa nëse dera e saj e pasme nuk do të ruhej kështu nga Turqia dhe saktësisht falë presidentit tuaj.
Kryeministri Rama u shpreh se “paaftësia e Europës për të punuar me ata që janë ndryshe dhe janë të vendosur “ndryshe” nga modeli standard i shteteve të saj anëtare, ka penguar në fakt një model gjithëpërfshirës të sigurisë europiane. Në mënyrë që të angazhohet me Turqinë në mënyrë më kuptimplotë BE duhet të shkojë përtej të menduarit për partneret dhe fqinjët përmes prizmit të zgjerimit sepse si rezultat, ajo që kemi parë është që BE-ja ka mbetur me një sens të kufizuar të pavarësisë së saj strategjike e cila sillet rreth modeleve normative të rregullave, normave dhe qeverisjes”.
Në këtë kontekst, vijoi Rama, më duhet të them se nisma e re e komunitetit politik europian, është mjaft e mirëpritur, një ide e ngjizur në shekullin XVIII, falë një francezi, i cili e parashikoi paqen e Europës vetëm përmes një platforme të madhe bashkimi dhe bashkëpunimi midis të gjitha vendeve, përfshi dhe ato vende që në atë periudhë ishin nën Perandorinë Osmane dhe madje edhe Rusinë.
Rama tha se “kësaj ideje i është dhënë një hov i ri pasi ka ardhur e ikur disa herë, duke ngritur një platformë gjithëpërfshirëse për të gjitha vendet europiane pavarësisht optikës së tyre karshi çështjeve botërore apo politikës së jashtme të tyre, për t’u ulur rreth së njëjtës tryezë e për të diskutuar çështje mbarë europiane si energjia, siguria, siguria ushqimore, ndërlidhja infrastrukturore, siguria tradicionale apo kërcënime të reja si siguria kibernetike. Në kuadrin e kësaj platforme, na duhet po kështu të nisim të mendojmë tani më mirë se vonë sesi do të angazhohet Rusia pasi sigurisht të përfundojë lufta në Ukrainë dhe kur integriteti territorial i Ukrainës të jetë i padiskutueshëm”.
“Është vërtetë një privilegj të flasësh këtu dhe është privilegj të flasësh përpara presidentit tuaj. Në të njëjtën kohë, nuk do të thoja që ky është kthimi i gjeopolitikës. Gjeopolitika ka qenë këtu me ne gjatë tërë kohës. Kemi qenë ne sidomos ajo pjesë e jona në Bashkimin Europian që kishim harruar si të mendonim strategjikisht dhe të krijonim mekanizma për të parandaluar atë çfarë do të vinte e që shumë prej nesh nuk e panë”, tha Rama.
Në fund të fjalës së tij, Kryeministri Rama theksoi se “Turqia nën udhëheqjen e presidentit Erdogan po vendos një ton ndryshe, po ofron një mënyrë ndryshe sesi të merremi me njëri-tjetrin dhe po shërben si një udhërrëfyes sesi ndërkohë mund të jesh tërësisht parimor, të mos negociosh parime si integriteti territorial, të mos u hapësh shteg zgjidhjeve të shpejta sipërfaqësore, por nga ana tjetër mos të harrosh kurrë se në fund të fundit, pushteti ka të bëjë me njerëzit dhe në të gjitha përpjekjet e presidentit tuaj për t’u siguruar që ndërkohë [që vazhdon lufta] miliarda njerëz të mos kërcënohen nga uria, është fytyra e vërtetë e Turqisë dhe udhëheqjes së Turqisë, që në fund të çdo dite mendon sesi politika t’u shërbejë njerëzve të zakonshëm, atyre të cilëve nuk e kanë mundësinë të jenë përpara kamerave dhe as mundësi të dëgjohen”.
Fraksion.com