Pas bombave të shokut, sulmohet edhe Policia: Çfarë po ndodh në veri?
Pas sulmeve me bomba të shokut, tashmë situata në veri është radikalizuar më shumë. Policia e Kosovës, sipas njoftimit të vetë këtij institucioni, është gjendur nën sulmin e grupeve kriminale në veri të vendit. Nga sulmi që ndodhi mbrëmë, një pjesëtar i Policisë së Kosovës ka mbetur i lënduar lehtë, ndërsa vetura me të cilën udhëtonin policët ka pësuar dëmë të “konsiderueshme materiale”.
E në veri, që nga dje janë parë edhe njerëz të maskuar, të cilët po patrollojnë nëpër lagje të ndryshme të kësaj pjese të territorit të Kosovës.
Edhe prezenca e Policisë së Kosovës është shtuar në orët e vona të 8 dhejtorit.
Se gjendja nuk është e mirë në aspektin e sigurisë, tregon edhe një rast i sulmit ndaj gazetarëve. Siç raporton Kallxo.com, një ekip i tyre është bërë cak i sulmit nga pjesëtar të maskuar.
Sulmi ndaj Policisë
Saktësisht në orën 00:50 minuta, një lajm aspak i mirë u bë publik nga Policia e Kosovës, të cilët nëpërmjet një njoftimi lajmëruan publikun për një sulm ndaj pjesëtarëve të saj në veri. Në njoftim tregohej se njësitet policore janë sulmuar gjersa po patrollonin në një fshat të Zveçanit.
“Sot me datë 08.12.2022, rreth orës 23:00, në fshatin Serbovc, Komuna e Zveçanit, Njësitet policore deri sa kanë qenë në detyra të rregullta, në patrullim, janë sulmuar nga persona të armatosur me armë të gjata, nga një automjet i tipit Audi, ngjyrë hiri, me targa KM. Si pasoj e incidentit, një pjesëtarë i Policisë së Kosovës është lënduar lehtë dhe janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në veturën e policisë.” – thuhej në njoftim, transmeton Nacionale.com.
Tutje, në njoftim theksohej se njësitet relevante tashmë po hetojnë rastin e sulmit ndaj njësiteve policore.
“Njësitet relevante policore kanë dalë në vendngjarje, për të kryer hetimet, kurse zyrtari policor i lënduar është transportuar në QKMF për ofrimin e ndihmës mjekësore.” – përfundonte komunikatat e Policisë.
Për sulmin në veri, ende nuk ka ndonjë reagim zyrtar nga ana e udhëheqësve të Kosovës. Por për numrin e shtuar të patrullave policore në veri, ka folur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
“Është e vërtetë që sipas planeve operacionale të Policisë, është rritur numri i policisë në disa lokacione, e kjo ka ndodhur për shkak të sulmeve të personave të paidentifikuar, të dyshuar, pra kanë prishur rendin dhe qetësinë. Me qëllim që rendi dhe ligji të kthehen në atë zonë, t’u garantohet qytetarëve siguri në vendbanimet e tyre, është marrë vendim që të rritet numri i policëve në atë pjesë.” – vlerësoi z. Sveçla.
Ndërsa, dje u raportua se një grup njerëzish të maskuar kanë filluar tashmë patrullimin nëpër veri. Persona të maskuar tashmë kanë filluar edhe sulmet ndaj gazetarëve. Caku i parë i sulmeve kanë mbetur gazetarët e Kallxo.com.
Ekipi i cili po udhëtonte me makinën e zyrës në drejtim të Mitrovicës së Veriut, raportohet se është sulmuar nga grupi i personave të maskuar të cilët po qëndrojnë në udhëkryqin e kësaj lagjeje. Për këtë ngjarje ka reaguar edhe AGK, duke e dënuar rastin./Nacionale.com
Fraksion.com