AktualitetPolitikëTë fundit

Manja: Ekspertizë amerikane për sigurinë në burgje

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja po vijon vizitën zyrtare në SHBA.

Gjatë qëndrimit ne Uashington, Manja është takuar me Todd D. Robinson, Ndihmës Sekretar i Shtetit për Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit.

Në një postim në rrjetet sociale, Manja bën me dije se gjatë takimit me Robinson kanë diskutuar për rezultatet e reformës në drejtësi, çrrënjosjen e korrupsionit si dhe rritjen e standardeve të sigurisë në sistemin penitenciar.

Ministri i shprehu Robinson mirënjohjen më të thellë për angazhimin e drejtpërdrejtë dhe intensiv të shërbimeve të Departamentit të Shtetit në forcimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri.

“Shumë shpejt do të intensifikojmë bashkëpunimin tonë edhe në drejtim të forcimit të sigurisë në burgje përmes përthithjes së ekspertizës më të mirë amerikane në menaxhimin e rrisqeve në sistem”, deklaron ministri Manja.

Gjithashtu, Manja ka zhvilluar një takim edhe me administratoren e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Bashkëpunim Ndërkombëtar USAID, Samantha Power mbi kontributin e paçmuar prej dekadash të Agjencisë me projektet zhvillimore në Shqipëri, si dhe asistencën e vyer në drejtim të luftës kundër korrupsionit dhe rritjen e efiçencës në sistemin e drejtësisë.

 

Fraksion.com