AktualitetBota+Të fundit

Basketbollistja Brittney Griner lirohet në këmbim të tregtarit rus të armëve, Victor Bout

Ylli i basketbollit Brittney Griner u lirua në një këmbim të burgosurish mes Moskës dhe Uashingtonit. Në këmbim të saj, Shtetet e Bashkuara liruan tregtarin famëkeq rus të armëve, Viktor Bout. Presidenti amerikan Joe Biden e bëri lajmin të ditur në një konferencë shtypi në Shtëpinë e Bardhë, duke thënë se basketbollistja amerikane po kthehet në SHBA, pas disa muajsh “ferri” siç i cilësoi ai.

“Ajo është e sigurt, është në avion, është rrugës për t’u kthyer në shtëpi pas muajsh të tëra burgimi të padrejtë në Rusi, mbajtur në rrethana të patolerueshme. Kemi punuar për një kohë të gjatë për këtë ditë. Kurrë nuk i ndalë, përpjekjet për lirimin e saj”, u tha zoti Biden gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.

Shkëmbimi mes basketbollistes Griner dhe tregëtarit të armëve, u bë në aeroportin e Abu Dhabit në Emiratet e Bashkuara Arabe, sipas agjencive ruse të lajmeve.

32 vjeçarja Griner, një yll i basketbollit për femra në SHBA, u arrestua më 17 shkurt. Bisedimet për të siguruar lirimin e saj u ndërlikuan nga agresioni rus ndaj Ukrainës dhe përkeqësimi që pasoi i marrëdhënieve mes Uashingtonit dhe Moskës.

Zoti Biden dhe nënpresidentja Kamala Harris folën në telefon me zonjën Griner nga Zyra Ovale, së bashku me bashkëshorten e saj, Cherelle.

“Muajt e fundit kanë qenë ferr për Brittney-n, për Cherelle-n dhe gjithë familjen e saj dhe ekipin e saj. Njerëzit në gjithë vendin kanë dëgjuar historinë e saj, kanë bërë thirrje për lirimin e saj, kanë qëndruar krah saj gjatë gjithë këtij tmerri”, tha zoti Biden.

Cherelle Griner falenderoi presidentin dhe të gjithë ata që mbështetën familjen e saj, duke thënë se është një ditë e lumtur për të dhe të gjithë të dashurit e saj.

“Por siç e dini të gjithë, ka shumë familje të tjera që nuk janë bashkë. Brittney nuk është këtu, por unë edhe në emër të saj ju them se do të mbetemi të përkushtuara ndaj përpjekjeve për të kthyer në shtëpi çdo amerikan, përfshirë Paulin, familja e të cilit është në zemrat tona sot”, tha ajo duke iu referuar ish-marinsit amerikan Paul Whelan që vazhdon të mbahet në Rusi.

Presidenti Biden tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë për ta liruar atë, por shtoi se Moska po e trajtonte ndryshe rastin e ish-marinsit.

“Për fat të keq, për arsye krejtësisht të paligjshme, Rusia po e trajton rastin e Paulit ndryshe nga ai i Brittney-t. Dhe megjithëse nuk kemi arritur ende të sigurojmë lirimin e tij, ne nuk po dorëzohemi. Nuk do të dorëzohemi kurrë,” tha zoti Biden.

Presidenti amerikan falënderoi Emiratet e Bashkuara Arabe për ndihmën në ndërmjetësimin e lirimit të basketbollistes.

55 vjeçari Bout, ishte një nga njerëzit më të kërkuar në botë përpara arrestimit të tij dhe është quajtur si “tregtari i vdekjes” dhe “shmangësi i sanksioneve” për aftësinë e tij për të anashkaluar embargot e armëve.

Fituesja e dy medaljeve të arta olimpike, Griner u arrestua në një aeroport të Moskës kur në bagazhin e saj u gjetën cigare elektronike që përmbanin vaj kanabisi, i cili është i ndaluar në Rusi.

Ajo u dënua më 4 gusht me nëntë vjet në burg me akuzën për mbajtje dhe kontrabandë droge. Ajo e kishte pranuar fajin, por tha se kishte bërë një “gabim të paqëllimshëm ” dhe se nuk kishte pasur ndërmend të shkelte ligjin.

 

Fraksion.com