AktualitetPolitikëTë fundit

Rama për Samitin: Sollëm buzëqeshje në fytyrat e liderëve europianë, sinjal i qartë që BE ka nevojë për BP

Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Bruksel, ku së bashku me kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviç dhe presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, merr pjesë në sesionin e diskutimit rreth samitit historik BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë.

Rama u shpreh se, “dikush më pyeti kohë më parë çfarë mund t’i sjellë Shqipëria Evropës, BE-së. Nuk është e lehtë t’i përgjigjesh kësaj pyetjeje. Dhe thashë, mund t’ju sjellim ca buzëqeshje. Dje sollëm buzëqeshje në fytyrat e tyre. I patë fytyrat e tyre dje? Ishin më mirë sesa kur mblidhen në Brukselin e mërzitshëm. Në kryeqytetet e tyre depresive, të mëdha”.

“Ajo çfarë ishte shumë e bukur, ishte që fotoja në grup, sepse e bëmë ndryshe, zgjodhëm një mënyrë ndryshe për ta bërë këtë foto në grup dhe shpresojmë që dhe ato ta ndryshojnë, dhe dëgjoja pas meje: dielli, shikoje diellin, sa diell i bukur, dielli, dielli. Ishte njësoj sikur njerëzit kishin dalë nga një shpellë pas një kohe të gjatë dhe po i gëzoheshin diellit, sepse kishte një diell shumë të bukur dje në Tiranë. Dhe këto janë gjëra të mira që i dhamë dje BE-së”, tha Rama.

Por, shtoi Kryeministri, “për të folur për buzëqeshjen, mendoj se është shumë më e thellë sesa ajo që duket”.

“Së pari, sepse ne jemi shumë besnikë, shqiptarët e kam fjalën. Dhe kurrë nuk jemi të mërzitshëm. Dhe këto dy gjëra janë shumë të nevojshme në BE. Ne jemi shumë besnikë dhe popullariteti, dhe këtu nuk bie dakord me Stevon, domethënë jo se nuk bie dakord për Maqedoninë e Veriut, sepse është e vërtetë, është e vërtetë edhe për Malin e Zi, por ne jemi ndryshe. Popullariteti i BE në Shqipëri vijon të mbetet shumë i lartë. Dhe nuk është se e them unë. Orakulli i Brukselit, barometri i BE-së, e thotë këtë gjë, vendi më proevropian në kontinent. Sepse ne kemi ardhur nga ferri, por jo nga ferri francez, që është parajsa që ata e quajnë ferr, kemi ardhur nga ferri i vërtetë, tërësisht të izoluar. Për ne, Jugosllavia, ku jetonin këta djemtë këtu, ishte një lloj planeti i lirisë. Ishte BE, më mirë se BE, ma merr mendja, në disa mënyra. Përveç vëllezërve dhe motrave tona kosovare”, tha Rama.

Por, vijoi Rama, “faktikisht ne u bëmë natyrshëm kaq të përkushtuar ndaj BE-së, saqë askush dhe asgjë nuk mund të na ndryshojë”.

“Jo vetëm, sepse ne kemi qenë gjithmonë të përkushtuar ndaj perandorive, çka është e vërtetë. Është e vërtetë. Ishim të fundit që u larguam nga Perandoria Osmane dhe kur turqit vendosën që të iknin ne qëndruam. Kemi qenë shumë besnikë ndaj Stalinit, edhe kur sovjetikët thanë nuk është ide e mirë që ta mbajmë aty në sheshe, ne e mbajtëm deri në 1990-ën në bulevardin tonë. Kështu që ne do të jemi këtu, të mbrojmë BE-në nga BE-ja deri në fund. Nëse duan të largohen ne do t’u themi nuk do të ikni, edhe në qoftë se jemi tek dera”, tha Rama.

Samiti i djeshëm, vijoi Rama, ishte një ngjarje e jashtëzakonshme historike, ishte ngjarja më e rëndësishme në historinë e marrëdhënieve jashtë Shqipërisë.

“Në kodin tonë të vjetër, Kanunin, ligji zakonor ka një pjesë shumë të rëndësishme ku thuhet se “shtëpia e shqiptarit i përket Zotit dhe mikut” dhe do të thotë që çdo mik është vullnet i Zotit dhe kësisoj duhet ta mirëpresim. Dje kishim perëndi e miq sepse ‘’perënditë’’ të BE-së erdhën në Shqipëri. Ishte jashtëzakonshme. Por, më shumë se çdo gjë tjetër për rajonin, për mua ishte më së fundi ishte një sinjal i qartë, shumë i qartë që është kuptuar tanimë se BE-ja ka nevojë për Ballkanin Perëndimor, po aq sa Ballkani Perëndimor ka nevojë për BE-në”, theksoi kryeministri.

 

Fraksion.com