Ukraina mbetet pa energji elektrike pas sulmeve ajrore ruse
Pas sulmeve ajrore ruse, të cilat kanë goditur rrjetin elektrik të Ukrainës, miliona ukrainas kanë mbetur në terr.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se nga këto sulme janë prekur shumë rajone dhe paralajmëroi gjithashtu se rreth gjysma e Kievit do të mbetet pa energji elektrike në ditët në vijim.
Ai tha se inxhinierët veçse kanë nisur punën për t’i riparuar linjat elektrike të goditura nga sulmet.
Deri tani nuk është raportuar për viktima.
Sulmet ajrore ruse në rrjetin elektrik të Ukrainës dhe infrastrukturën tjetër kanë lënë miliona ukrainas pa ngrohje, pa energji elektrike dhe ujë, në një kohë me temperatura jashtëzakonisht të ulëta.
Ekziston frika se një numër njerëzish mund të vdesin nga hipotermia.
Në video-adresimin e së hënës, presidenti Zelensky tha se rusët hodhën rreth 70 raketa, ku “shumica e tyre u rrëzuan” nga mbrojtja ajrore ukrainase..
Më 5 dhjetor, zëdhënësi i forcave ajrore ukrainase, Yuriy Ignat, i tha Radios Evropa e Lirë se 38 raketa u lëshuan nga bombarduesit Tu-95, që gjenden të stacionuar në rajonin e Detit Kaspik dhe në rajonin e Detit Kaspik dhe në rajonin jugor rus të Rostovit. Ky rajon gjendet në kufirin lindor të Ukrainës. Ndërkaq, 22 raketa të llojit Kalibr, sipas tij, u lëshuan nga anijet e flotës ruse në Detin e Zi.
Në sulmet e së hënës u vranë katër persona.
Sulmet ruse me raketa ndaj infrastrukturës civile janë intensifikuar javët e fundit, derisa pushtimi rus i Ukrainës ka hyrë në muajin e dhjetë.
Në fillim të nëntorit, Moska ka tërhequr trupat e saj nga qyteti jugor Herson – një nga sukseset më të mëdha të Ukrainës në luftën e saj kundër pushtimit rus.
Në të kaluarën, kur Rusia ka pësuar humbje në terren, ajo ka sulmuar përmes ajrit.
Pushtimi rus i Ukrainës ka nisur më 24 shkurt.
Në fund të nëntorit Zelensky tha se sulmet me raketa ruse kanë dëmtuar më shumë se 50 për qind të infrastrukturës energjetike të vendit.
Presidenti rus, Vladimir Putin, e konsideron luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./rel
Fraksion.com