Rusia thotë se Ukraina ka sulmuar dy baza ajrore; nis sulme të reja me raketa
Dronët ukrainas goditën dy baza ajrore thellë në brendësi të territorit rus, njoftoi Kremlini të hënën, pak përpara se forcat ruse të fillonin një sulm masiv me raketa drejt Ukrainës, të cilat goditën shtëpi dhe ndërtesa, dhe vranë civilë.
Shtëpia e Bardhë dënoi sulmet e fundit ruse kundër Ukrainës, duke thënë se ato janë një kujtesë e brutalitetit të Presidentit rus Vladimir Putin.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin dhe homologu i tij ukrainas, Oleksii Reznikov, dënuan sulmet brutale ajrore të Rusisë ndaj infrastrukturës civile të Ukrainës. Sekretari Austin shprehu gjithashtu “angazhimin e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për të mbështetur aftësinë e Ukrainës për të kundërshtuar luftën e agresionit të Rusisë”, thuhet në një deklaratë të Pentagonit.
Sekretari Austin ritheksoi mbrojtjen ajrore si një përparësi kryesore për përpjekjet e ndihmës së sigurisë nga Shtetet e Bashkuara, siç tregohet nga angazhimet për t’i ofruar Ukrainës municione shtesë për sistemet e avancuara të raketave tokë-ajër NASAMS, si dhe kapacitetet për të luftuar sistemet ajrore pa pilot.
Sulmi i paprecedentë në Rusi rrezikon të arrijë një përshkallëzim të madh të luftës nëntë-mujore, pasi goditi një aerodrom ku mbahen avionë bombardues që kanë kapacitetin për të mbartur armë bërthamore. Presidenti Vladimir Putin ka kërcënuar se do të përdorë të gjitha mjetet në dispozicion për të mbrojtur territorin rus, një deklaratë që është interpretuar se përfshin edhe armët bërthamore.
Rusia ka bërë bombardime pothuajse të përjavshme ndaj Ukrainës në formë hakmarrjeje për një tjetër sulm të guximshëm – shpërthimin e 8 tetorit të një kamioni tek një urë jetike që lidh kontinentin me Gadishullin e Krimesë.
Të hënën, Presidenti Putin u përpoq të tregonte se vendi i tij mund ta rimarrë veten nga imazhi i dëmtuar nga një sulm i tillë, duke i dhënë vetë një makine nëpër urën e riparuar pjesërisht. Presidenti Putin e inauguroi personalisht urën 19 kilometra të gjatë në vitin 2018, në kuadrin e përpjekjeve të kushtueshme për të konsoliduar pretendimin territorial mbi Krimenë, të cilën Rusia e aneksoi ilegalisht në vitin 2014.
Gjatë sulmit të së hënës, raketat ruse ndërprenë shërbimet bazë në disa rajone të Ukrainës, si pjesë e strategjisë së Moskës për të shkaktuar më shumë vështirësi me afrimin e dimrit. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se katër persona u vranë gjatë sulmeve të së hënës.
Forcat ajrore të Ukrainës thanë se rrëzuan më shumë se 60 nga 70 raketat dhe Presidenti Zelenskyy u shfaq sërish sfidues, duke lavdëruar punëtorët që u përpoqën menjëherë të rikthenin energjinë.
“Çdo raketë ruse e rrëzuar është provë konkrete se terrori mund të mposhtet”, tha Presidenti Zelenskyy në fjalimin e tij të mbrëmjes.
Ukraina tha se të dhënat paraprake treguan se Rusia lëshoi 38 raketa me vetëdrejtim nga mjetet detare në Detin Kaspik dhe nga rajoni jugor Rostov. Përveç kësaj, 22 raketa Kalibr u nisën nga flota ruse e Detit të Zi dhe gjithashtu u përfshinë edhe avionë bombardues me rreze të gjatë, avionë luftarakë dhe raketa të drejtuara nga larg, tha ai.
Kompania e energjisë elektrike Ukrenergo tha se ishin goditur objektet e saj, duke shkaktuar disa ndërprerje energjie, megjithëse kryeministri tha më vonë se objektet e energjisë ishin dëmtuar në vetëm tre zona, pra nuk ishin aq të përhapura sa në sulmet e mëparshme.
Në kryeqytetin Kiev, njerëz të shumtë mbushën me shpejtësi stacionin qendror të metrosë Zoloti Vorota pas paralajmërimeve për sulm ajror. Nuk kishte shenja të menjëhershme se qyteti ose rajoni përreth gjithashtu ishin goditur.
Mediat ukrainase raportuan shpërthime në jug të Kievit, në Cherkasy, Krivyi Rih dhe Odesa. Zyrtarët thanë se uji, energjia elektrike dhe ngrohja qendrore u ndërprenë në shumë pjesë të Odesa-s.
“Armiku po sulmon sërish territorin e Ukrainës me raketa!”, shkruajti në Telegram, Kyrylo Tymoshenko, nëndrejtor i zyrës së presidentit ukrainas.
Në Moldavinë fqinje, Ministria e Brendshme tha në faqen e saj në Facebook se oficerët e patrullës kufitare kishin gjetur një raketë në një fermë pranë qytetit verior Briceni, pranë kufirit me Ukrainën. Një ekip i specializuar për çmontimin e bombave shkoi në vendngjarje, por nuk u bë e qartë se kur ra raketa ose kush e gjuajti atë.
Duke dhënë më shumë detaje për sulmet ndaj bazave ajrore, Ministria ruse e Mbrojtjes tha se kishte rrëzuar dy dronë ukrainas. Ajo tha se tre ushtarakë rusë u vranë dhe katër të tjerë u plagosën dhe se dy avionë u dëmtuan lehtë.
Sulmet në bazën Engels në rajonin Saratov në lumin Vollga dhe në bazën Dyagilevo në rajonin Ryazan në Rusinë perëndimore ishin pjesë e përpjekjeve të Ukrainës për të kufizuar forcën e bombarduesve me rreze të gjatë veprimi të Rusisë, tha ministria.
Baza Engels, e gjendur mbi 600 kilometra në lindje të kufirit me Ukrainën, strehon bombarduesit strategjikë Tu-95 dhe Tu-160 me aftësi bërthamore që kanë qenë të përfshirë në nisjen e sulmeve ndaj Ukrainës. Baza ajrore Dyagilevo, e cila strehon avionë cisternë që përdoren për të furnizuar me karburant avionët e tjerë në fluturim, është rreth 500 kilometra në verilindje të kufirit me Ukrainën.
Sulmet treguan dobësinë e disa prej pikave më strategjike ushtarake të Rusisë, duke ngritur pikëpyetje në lidhje me efektshmërinë e mbrojtjes së tyre ajrore, nëse dronët mundën të afroheshin kaq shumë.
Ministria nuk tha se nga e kishin origjinën dronët, por blogerët ushtarakë rusë thanë se ato ka të ngjarë të ishin nisur nga ushtarë në pararojë të Ukrainës.
Agjencitë ruse të lajmeve kishin raportuar më herët shpërthime në të dy vendet, duke dhënë detaje paksa të ndryshme nga Ministria e Mbrojtjes për viktimat.
Forcat e armatosura të Ukrainës publikuan një foto ku thanë se tregohet gjak në borë nën një automjet ushtarak në një nga bazat ajrore. Autenticiteti i fotos nuk mund të verifikohej.
Këshilltari i Presidentit Zelenskyy, Mykhailo Podolyak, përmendi sulmin me dron ndaj bazës Engels, por nuk mori përgjegjësinë.
“Nëse diçka lëshohet në hapësirën ajrore të vendeve të tjera, herët a vonë objekte fluturuese të panjohura do të kthehen tek pika e nisjes”, shkruajti zoti Podolyak në Twitter./VOA
Fraksion.com