Osmani: BE të lëvizë nga fjalët në vepra për liberalizimin e vizave për Kosovën
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani deklaroi sot në Tiranë se beson fort se dialogu Kosovë-Serbi që udhëhiqet nga BE dhe mbështetet plotësisht nga SHBA është e vetmja mënyrë për të ecur përpara drejt një marrëveshjeje përfundimtare të përqendruar te njohja e ndërsjellë.
Në një prononcim për mediet para nisjes së samitit BE-Ballkani Perëndimor, Osmani tha se “Kosova ka treguar përkushtim ndaj BE-së në çdo veprim që ka ndërmarrë sidomos kur vjen fjala te harmonizimi 100% me BE për çdo politikë të jashtme”.
“Na duhet që BE të lëvizë nga fjalët në vepra sidomos kur bëhet fjalë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Kosova do të paraqesë aplikimin për anëtarësim në BE në fund të këtij viti dhe shpresojmë fort për mbështetjen e plotë të vendeve anëtare të BE-së”, tha ajo.
Sipas saj, “të qëndrosh në krahun e duhur të historisë sot është më e pakta që duhet pritur prej nesh”.
“Për fat të keq, Vuçiç është vazhdimësi e një mendësie që ka ekzistuar në vitet ’90 në Serbi dhe është kjo mendësi që çoi në luftë e shkatërrim. Mendësi që duhet hedhur poshtë nga të gjithë. Ajo që po tregon Kosova këto ditë është e kundërta e asaj çfarë po tregon Vuçiçi, po shtrijmë dorën e bashkëpunimit edhe pse ata kurrë nuk kanë kërkuar të falur për krimet që kanë kryer”, tha ajo.
Osmani vlerësoi se ky samit që është një sipërmarrje shumë e rëndësishme si nga BE edhe nga Ballkani Perëndimor.
Fraksion.com