AktualitetNATO/BEPolitikëTë fundit

Kryeministri belg: Angazhimi financiar i BE-së në rajon i dukshëm, bashkimi ynë më i fortë se kurrë

Kryeministri i Belgjikës, Alexander De Croo deklaroi sot në Tiranë, se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë një përparim të dukshëm dhe përgjigjja nga Bashkimi Europian për këtë, sinjalet që i janë përçuar dy vendeve, janë të qarta.

Në një prononcim për mediet para nisjes së Samitit BE-Ballkani Perëndimor, De Croo u shpreh se anëtarësimi në BE është një proces administrativ me reforma të vështira që nuk mund t’u bihet shkurt.

“Po ashtu ka një proces politik. Jemi të vetëdijshëm që duhet të ruani momentin politik
dhe këto janë procese ku shpesh është e vështirë që të ruhet momenti politik. Kjo ka ndryshuar. Ka qenë tërësisht një proces administrativ dhe tani është një proces administrativo-politik dhe të dyja janë të rëndësishme”, shtoi ai.

Kryeministri belg theksoi se angazhimi financiar i BE-së në rajon është tejet i dukshëm.

“Mendoj se duhet shtuar vlerë edhe në aspektin politik. Natyrisht edhe me idenë e komunitetit të ri politik europian. Kjo do ta bëjë më të zëshme këtë bashkëpunim”, tha ai.

I pyetur mbi anëtarësimin në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ai u shpreh se një prej vendeve të Ballkanit është anëtarësuar tashmë, Kroacia.

“Ne e dimë që ka përparim, e dimë që ka ambicie që ky përparim të ecë më shpejt, por nuk ka rrugë të shkurtër. Ka punë të jashtëzakonshme për t’u bërë. Momente si ky i sotmi duhet të tregojnë se kanë ndodhur shumë gjëra dhe ka progres në këto vende. Duhet folur për progresin që është bërë dhe atë që duhet bërë. Ka shumë harmonizim mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së për sa i takon politikës së jashtme. Ka harmonizim në politikën e vizave edhe të sanksioneve kundër Rusisë”, tha ai.

Sipas kryeministrit belg, samite të tilla janë të rëndësishme për t’i treguar pjesës tjetër të botës që jemi të harmonizuar.

“Është e qartë se Rusia përpiqet të ndikojë jo vetëm këtë rajon, por edhe BE-në. Kemi treguar se BE është diçka që e shqetëson Rusinë. Fakti që ka një vullnet të fortë në vendet e Ballkanit Perëndimor për t’u bashkuar me BE-në, sepse e shohin si një vend të sigurt begatie natyrisht është diçka që e shqetëson Federatën Ruse, që përpiqet të destabilizojë. Përgjigjja jonë e vetme është se bashkimi ynë është më i fortë se kurrë”, tha ai.

 

Fraksion.com