“Tirana qendër të Ballkanit Perëndimor”, Balluku jep detajet e samitit: Skena më e madhe politike e Evropës
Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, deklaroi sot se Tirana do të jetë nesër skena më e madhe politike e Evropës, pasi mbahet samiti BE-Ballkani Perëndimor me pjesëmarrjen e të gjithë liderëve.
Balluku njëkohësisht paralajmëroi firmosjen e një sërë marrëveshjesh të rëndësishme.
“Tirana tashmë është kthyer në një qendër të Ballkanit Perëndimor, ky është një moment historik. Fakti që nga të gjitha vendet është zgjedhur Shqipëria pa dyshim ne na bën krenarë, kjo tregon besueshmërinë që kemi dhënë dhe të gjithë mënyrën konstruktive sesi Edi Rama ka kontribuar në bashkësinë që quhet Ballkani Perëndimor. Samiti është vazhdimësia e një punë që ka nisur prej kohësh, pritet që të ketë disa marrëveshjeve të rëndësishme. Një takim i këtij rangu, i këtij niveli ku do të jenë të gjithë liderët evropianë do jetë një moment i rëndësishëm për të marrë vendime të rëndësishme”, u shpreh Balluku.
Sipas saj, Tirana nesër është skena më e madhe politike e Evropës.
Zv/kryeministrja Balluku beson se delegacioni serb do të jetë në Tiranë për të marrë pjesë në samit.
“Unë besoj qe edhe delegacioni serb do të jetë në Tiranë. Do të ketë bisedime midis palëve, ka një interes nga disa nga liderët e BE-së për të pasur edhe tryeza të përbashkëta midis vendeve të ndryshme të Ballkanit Perëndimor për të çuar përpara çdo bisedim që ka qenë në fokus dhe në qendër të vëmendjes. Unë besoj që do të jenë të gjithë në Tiranë”, u shpreh Balluku.
Ajo foli për kushte maksimale sigurie.
“Garantojmë kushtet e sigurisë që i gjithë procesi të zhvillohet në mënyrën më të mirë. Ambientet janë përshtatur për të akomoduar të gjithë krerët e shteteve, stafet shoqëruese dhe partnerë apo entitete të tjera pjesëmarrës në takim, por edhe 730 gazetarë të huaj”, tha ajo.
Sa i përket protestës së paralajmëruar nga opozita, Balluku tha se kjo nuk shqetësonte qeverinë, pasi protestat mbahen edhe para takimeve të rëndësishme si ato të G7 apo G20.
Të martën në Tiranë zhvillohet samiti BE-Ballkani Perëndimor.
Në kryeqytet pritet të mbërrijnë 27 liderët perëndimorë të Bashkimit Europian dhe 5 liderë të Ballkanit Perëndimor.
Të pranishëm në këtë samit pritet të jenë presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen dhe presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel.
Fraksion.com