Primaret në PD: Balotazh mes Belind Këlliçit dhe Ilir Alimehmetit për Tiranën, çfarë pritet të ndodhë?
Dje Partia Demokratike zhvilloi zgjedhjet për Primaret, nga ku do të dalin dhe kandidatët për kryetarë bashkie për zgjedhjet e 14 majit të 2023-shit.
Teksa disa bashki kanë shpallur rezultatet finale, e gjithë vëmendja është përqendruar në Tiranë, atje ku ka një balotazh mes Belind Këlliçit dhe Ilir Alimehmetit, nga 7 kandidatë që ishin në garë.
Siç përcakton rregullorja për Primaret, fitues shpallet kandidati që siguron 50+1 të votave, ndaj dhe nuk ka ende një fitues.
Komisioni i Organizimit të Zgjedhjeve do të vendosë datën se kur do të zhvillohen zgjedhjet e ardhshme për ato bashki që kanë dalë në balotazh. Gazetari Ergys Gjençaj në një raportim live nga selia e PD-së theksoi se ende nuk bëhet e ditur se kur do të jetë data kur do të mbahet procesi për rezultatet që kanë dalë në balotazh. Po ashtu në Dibër, Mirditë, Librazhd, Fushë-Krujë ka balotazh mes kandidatëve.
Ndërkohë, kandidatët për kryetar bashkie janë konfirmuar në disa rrethe, siç është Igli Cara në Durrës, apo dhe në Berat, Zija Ismaili.
Kujtojmë se data 6 mars është afati i fundit kur partitë politike të regjistrohen në KQZ dhe në 27 mars është afati final për regjistrimin e kandidatëve që do garojnë për kryetar bashkie.
Fraksion.com