AktualitetPolitikëTë fundit

“Nuk kërcënojmë në asnjë rrethanë, sigurinë e miqve”, Berisha zbulon detaje: Presim me padurim protestën në bulevard

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar një takim me banorët e degës 2 në Tiranë. Ai ka folur për protestën që do të zhvillojë Partia Demokratike ditën e nesërme. Ai u shpreh se demokratët presin me padurim protestën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Kryedemokrati theksoi se protesta nuk kërcënon në asnjë rrethanë sigurinë e miqve europianë dhe kjo ndodh vetëm nga klanet mafioze të Edi Ramës. Kreu i selisë blu zbuloi edhe disa detaje nga protesta e nesërme. Ai u shpreh se do të ketë banderola dhe parulla në anglisht, ndërkohë që pjesë do të jenë edhe flamujt kombëtarë, europianë, amerikanë dhe të PD-së.

“Ky armik i egër i votës, lirisë dhe qenies së shqiptarëve, ka 4 ditë që bën gjithçka për të sabotuar protestën tonë. Njëherë informoi zyrtarisht shkollat se nuk do të ketë shkollë ditën e samitit. Informoi të nesërmen administratën se është ditë pushimi. I riktheu të gjitha se e pa se ata do të derdheshin në shesh kundër qeverisë. Tani, njëlloj sikur të ishte vendi i sulmuar nga të 4 anët njofton se ky aks rrugor, kjo autostadë, apo ajo autostradë do të mbyllet. Unë jam këtu për tu bërë thirrje shqiptarëve, nga Konispoli në Tropojë. Për ti përshëndetur se mijëra e mijëra kanë hyrë në Tiranë sot paradite dhe gjatë pasdites. Por edhe të tjerët të lënë çdo gjë e të nisen drejt Tiranës. Të trokasin kurdo që të vijnë në çdo derë demokrati, bujrëm mirë se të vini, nesër së bashku në protestë. Ta marrë vesh bota, se ne nuk nënshtrohemi, se ne jemi njerëz të lirë, të gatshëm për të mbrojtur dinjitetin tonë dhe për ti treguar Europës dhe botës së ky regjim monist nuk ka kod tjetër përveç kodit të mafias, vjedhjes, plaçkitjes dhe të dhunës.

Këto orë që na ndajnë, që presim me padurim protestën në Bulevardin Dëshmorët e Kombit. Do jemi të gjithë aty. Ne nuk kërcënojmë në asnjë rast, në asnjë rrethanë, sigurinë e miqve që kanë ardhur në Shqipëri. Përkundrazi kërcënim për çdo gjë janë klanet mafioze të Edi Ramës dhe vetë ai. Ne protestojmë si njerëz të lirë, për t’u dëshmuar atyre se asnjë lloj mjeti nuk na pengon pa protestuar siç protestohet në rrugët dhe sheshet e tyre në çdo samit, paçka se problematika e qytetarëve të tyre është qindra herë më e vogël se kjo që kemi ne. Megjithatë ata dalin. Ndaj të bëjmë ç’të mundemi, çfarë kemi në dorë. Nesër janë përgatitur parulla, banderola, anglisht në tërësi kësaj here se i kemi miqtë ato. Do i shihni vetë ju, fantastike janë. Paraqitet Edi Rama ashtu siç është, në të gjitha format. Ka prej tyre që flasin sa një fjalim. Ndaj të vijnë të rinjtë e tjerë t’i marrin, me flamuj kombëtarë, me flamuj europianë, me flamuj amerikanë, me flamuj të PD-së, të mbushim bulevardin dhe të bëjmë që zëri ynë të dëgjohet në rajon, në Europë dhe në mbarë botën”, u shpreh Berisha.

Kryedemokrati tha se beteja është vetëm ndaj Edi Ramës dhe përpjekjeve të tij për ta paraqitur Shqipërinë para Europës sikur është Bjellorusia. Ai ftoi qytetarët që t’i bashkohen protestës ditën e nesërme.

“Në thellësi, po ta marrësh, në fakt ata kanë frikë samitin, Europën, vlerat e saj. Të ngujuar tashmë në kodin e mafias, praktikat e mafias, ata çdo lloj drite i tmerron. Ndaj dhe po të keni vënë re ju, ai që mund ta quajmë me plot gojë kryeministri mafioz i shqiptarëve, hajduti i parë i Shqipërisë, ai e ka humbur toruan dhe vetëm merret me postblloqe dhe informacione se këtë rrugë po e bllokojmë, atë rrugë s’do e lejojmë, atë shesh do e bllokojmë, etj., etj. Nesër, ne betejën e kemi me këtë person, po me qëndrimet e tij, po me përpjekjen e tij për ta paraqitur Shqipërinë para Europës sikur është Bjellorusia, sikur është Kuba, sikur është një vend ku njerëzit janë të shtypur dhe nuk mund të ngrihen në protestë. Mirëpo ne kësaj përpjekje të neveritshme do t’i japim nesër përgjigjen më të fuqishme. Ndaj dhe jam këtu për të ftuar demokratet dhe demokratët e degës 2 të PD, mbështetësit tanë, por të gjithë qytetarët e Tiranës, të gjithë qytetarët shqiptarë në emër të idealeve tona demokratike, të dalim nesër në shesh për të ngritur zërin tonë. Nesër në Tiranë janë mbi 1 mijë gazetarë. Nesër në Tiranë janë shtetarët më të lartë të BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Normalisht si parti që kemi përmbysur diktaturën komuniste, si parti lokomotivë e proceseve integruese”, u shpreh Berisha.

Sipas Berishës, me politikat e tij, Rama është përgjegjësi i shpopullimit të Shqipërisë. Ai theksoi ndër të tjera se qeveria përdor bandat dhe miliona Euro për të blerë vota.

 

Fraksion.com