“Macroni, Scholz, Meloni do të dalin në dritare”, Spiropali për protestën: “Non grata” e SHBA dhe BM i tmerruar se edhe BE…
Ministrja për Parlamentin, Elisa Spiropali gjatë seancës së sotme plenare është shprehur se Tirana nuk është zgjedhur rastësisht për të mbajtur Samitin.
Ajo ka hedhur edhe akuza në drejtim të Ilir Metës dhe Sali Berishës për protestën e 6 dhjetorit.
“Të martën, dy qesharakët tanë opozitarë, fytyrëvrerosurit, Haxhiu dhe Qamili, pak a shumë si vizatimorët gazmorë Tomi dhe Xherri, thonë se do të dalin ën Bulevard për të protestuar. Pretendojnë se do të bërtasin kaq shumë, sa Macroni, Scholz, Meloni e të tjerë drejtues të BE do të dalin në dritare të shohin ata. Do të pyesin se çfarë halli e ka nxjerrë në këtë ditë dimri çetën me mentalitet mesjetar, të veshur alla frënga. Do t’i dërgojnë dhe do t’i dëgjojnë që brohorasin për Ukrainën dhe do të vazhdojnë të bëjnë duanë e Putinit. Do t’i dëgjojnë të përbetohen për stabilitet, por me ura zjarri në duar. Do t’i shohin me flamuj të BE-së që i valëvisin, por me sy nga stepat e Rusisë. Krejt njëlloj si dikur kur i suleshin kryeministrisë me molotovë ndër duar dhe thikë ndër dhëmbë. Do të duken krejt njëlloj si personazhet që kërkon “Russia Today’”. Apo e thënë me një gjuhë që e kupton mirë edhe Haxhiu edhe Qamili, do të jenë protagonistët e “Rossiya Segodnya”, theksoi Spiropali.
Ministrja u shpreh se, “nuk kemi asgjë kundër protestës, problemi është se po përdorin protestën për të provokuar, izoluar gjithnjë e më shumë nga ndërkombëtarët, “non grata” e SHBA dhe Britanisë së Madhe i tmerruar nga mundësia që edhe Evropa perëndimore mund ta paralizojë në të njëjtën mënyrë Haxhiu ynë po kërkon të faktorizohet duke gënjyer. Hipokrit dhe hilacak ai mund të gënjej edhe pak deri sa kupa të derdhet”.
“Kur i shoh me sytë e një nëne të re Haxhinjtë dhe Qamilët më dhimbsen se nuk u shoh të ardhme veçse të kaluar, veçse në librat e historisë që i pranojnë të gjithë. Të verbuar dhe të qëruar nga etja e pafundme për pushtet. Ku ri shoh si kapen të dëshpëruar në aventurën e tyre me thonj e me dhemb pas rrenave drejt pushtetit për t’u mbrojtur me metoda të reja për krimet e vjetra, neveritem. Nuk kanë arsye, mend, logjikë, ndjeshmëri njerëzore, vetëm lakmi dhe urrejtje. Ndoshta shohin ëndrra se shqiptarët do ua falin krimet. I gënjen mendja. Menteshat Haxhi dhe Qamil janë ndryshkur aq keq, sa nuk hapin, nuk mbyllin, nuk shembin dot më asnjë derë”, theksoi Spiropali.
Spiropali në fjalën e mbajtur sot në Kuvend tha gjithashu edhe se qeveria e Edi Ramës e ka ngjitur Shqipërinë në një nivel respekti e reputacioni ndërkombëtar të pamendueshëm vetëm disa vite më parë.
Ajo shtoi se, “pjesa tjetër, pjesa arkaike në tkurrje të pandalshme e nostalgjikëve të kohës së interesave abuzive kur ishin në pushtet me një vendosmëri diabolike duan vetëm të qeverisin, vetëm të jenë në pushtet, vetëm për përfitime materialiste vetjake, familjare, nepotike, duke u bërë kështu minues të demokracisë”.
Spiropali nënvizoi se, “nuk ka paqe të qëndrueshme në Evropë pa paqtuar Ballkanin dhe nuk mund të ketë Ballkan në paqe pa ndihmën e Evropës. Ky është mesazhi që liderët e vendeve të BE-së dhe vetë strukturat e BE-së përcjellin. Nuk kanë zgjedhur rastësisht Tiranën siç ulërijnë ata që s’dinë, ose ata që s’dinë, por zgjedhin të lëpihen aty ku paguhen”.
“Shqipëria, është sot vendi më i qëndrueshëm , më i vendosur, më europeist i rajonit”, tha Spiropali, e cila shtoi se, “do të jetë një ditë historike, kjo e martë dimri”.
“Stabiliteti nuk është zgjidhje fakultative. Destabiliteti që vjen nga se pandeh me të gjitha mënyrat e format, qoftë duke djegur mandatet e duke bojkotuar zgjedhjet dje, qoftë duke përdorur fjalor lufte sot, është një e keqe që nuk kërcënon me dëme të pandreqshme vetëm Shqipërinë, por shumë më tepër”, u shpreh Spiropali.
Fraksion.com