Shembja e “Prestige Resort”, Rama: Fundi i një historie babëzie ndërtimesh. S’ka lidhje me median
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot në lidhje deklaratat pas prishjes së objektit 7 katësh, ‘Prestige Resort’ në vijën bregdetare të Kavajës, nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT).
Në reagimin e tij në rrjetet sociale ai theksoi se “ky operacion i përfolur, përqeshur e anatemuar nga gjithë kundërshtarët tanë s’ka asnjë lidhje me median”.
Rama shkroi se, “ky operacion, ka të bëjë vetëm me fundin e një historie mizerabël babëzie ndërtimesh në shkelje të ligjit për qëllime fitimi. Zor se ndonjë ndërtues do i bëjë dot karshillëk ligjit paskëtaj”
“Janë deri tani 15 vendime konfiskimi. Kjo e sotmja s’është e vetmja prishje, e në ndërkohë kontrollet po vazhdojnë. Do të futet një normë e re ligjore për kontrollin e detyruar sistematik (maksimumi çdo 60 ditë) të zbatimit të lejeve të ndërtimit. Të tjerat janë llogje pa lidhje”, deklaroi Kryeministri.
Rama vuri në dukje se, një leje zhvillimi është njësoj me një leje ndërtimi sa ç’është një certifikatë lindjeje baraz me një leje drejtimi.
“Të bësh viktimën e lirisë së medias pse t’u prish një pallat pa leje është njësoj si të bësh viktimën e dhunës policore pse s’të lënë ta ngasësh makinën pa patentë”, u shpreh Kryeministri.
Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) realizoi sot me sukses shpërthimin e kontrolluar të një objekti 7 katësh në vijën bregdetare të Kavajës.
Sipas njoftimit të IKMT-së, për këtë, u përdorën 70 kg lëndë shpërthyese e vendosur në 730 furnela (vrima të hapura në trupin e objektit).
Fraksion.com