Shembja e objektit 7 katësh në Kavajë, Noka: Provë e marrëzisë së Ramës
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Flamur Noka në një deklarate për mediet, reagoi sot në lidhje me prishjen e objektit 7 katësh në vijën bregdetare të Kavajës, nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT).
“Hedhja në erë e një hoteli 7 katësh, pronë private me leje, e një kompanie që drejton një grup të madh mediatik kritik me qeverinë, dy ditë para Samitit të BE në Tiranë, është provë e marrëzisë së Edi Ramës, por edhe fundit të tij qesharak”, tha Noka.
Sipas tij, edhe pse mbeteshin vetëm pak orë para se gjykata Administrative të shprehej për anulimin ose jo të vendimit për shembjen, jeniçerët e qeverisë kanë shtypur butonin e tritolit.
“30 milionë euro investim është bërë hi para syve të miliona shqiptarëve”, deklaroi Noka.
Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) njoftoi sot se realizoi me sukses shpërthimin e kontrolluar të një objekti 7 katësh në vijën bregdetare të Kavajës.
Sipas njoftimit të IKMT-së, për këtë, u përdorën 70 kg lëndë shpërthyese e vendosur në 730 furnela (vrima të hapura në trupin e objektit).
“Shpërthimi u krye pa shkaktuar asnjë dëm anësor”, njoftoi IKMT.
Fraksion.com