Primaret në PD, kandidatët e parë fitues në disa prej bashkive
Anëtarësia e Partisë Demokratike dhe simpatizantë të kësaj force politike votuan këtë të diel përmes procesit të primareve për të zgjedhur kandidatët e opozitës për kryetarë bashkie në zgjedhjet lokale të 14 Majit. Gazetarja e Tv Klan, Jolldiz Mitro raporton se ka qenë një proces që ka vijuar normalisht, i qetë, pavarësisht se ka pasur disa dorëheqje nga ana e kandidatëve.
Aktualisht ka nisur procesi i numërimit në pjesën dërrmuese të qendrave të numërimit sa i përket kandidatit që do të dalë fitues në 56 bashkitë ku u zhvilluan edhe primaret për PD. Gazetarja përcjell edhe disa prej kandidatëve të parë fitues në disa prej bashkive.
“Në qarkun e Gjirokastrës janë shpallur edhe fituesit për bashkitë e këtij qarku. Në bashkinë e Shkodrës, Bardh Spahia është rikonfirmuar si kandidat fitues në këto zgjedhje, ndonëse ishte i vetëm në këtë garë. Bardh Spahia do të kërkojë një mandat të dytë në zgjedhjet e 14 Majit”.
Edhe në Elbasan në garë ishte vetëm nënkryetari i demokratëve Luçiano Boçi, i cili u po ashtu u konfirmua si kandidat për këtë bashki.
Gjithashtu rezultatet e para kanë nxjerrë fitues edhe kandidatin e PD në këtë proces primaresh në Memaliaj, Shijak dhe Vorë, etj. Megjithatë, gazetarja thekson se këto janë të dhëna që vijnë nga terreni, pasi aktualisht nga ana e PD, nga Komisioni Elektoral që po merret me gjithë procesin zgjedhor të ditës së sotme të këtyre primareve, nuk ka një deklaratë zyrtare.
“Unë aktualisht ndodhem në selinë e PD. Vetëm pak minuta më parë ka pasur një dalje nga ana e njërit prej anëtarëve të Komisionit Elektoral, i cili ka konfirmuar pjesëmarrjen e anëtarësisë dhe të simpatizantëve deri në orën 17:00 të pasdites në këto primare. Bëhet fjalë për një pjesëmarrje prej 51,797 votuesish në zgjedhjet e ditës së sotme në primare”.
Gazetarja po ashtu shprehet se procesi i numërimit të votave pritet të përfundojë para mesnatës.
“Unë ndodhem aktualisht në selinë e PD, ku po administrohen pasi kanë mbërritur të gjitha kutitë e votimit për Bashkinë e Tiranës. Në fakt nuk ka nisur në selinë blu procesi i numërimit. Sipas përfaqësuesve të Komisionit Elektoral është menduar ora 20:00 për të nisur i gjithë procesi i numërimit. Ata thonë se në të gjithë vendin nuk pritet që të kemi një rezultat final të certifikuar, pasi të gjitha të dhënat që unë raportova në fakt, janë të dhëna që vijnë nga korrespondentët e Tv Klan në terren. Të dhënat zyrtare dhe mbylljen e procesit të numërimit mund ta kemi vetëm pak përpara mesnatës”.
Fraksion.com