AktualitetPolitikëTë fundit

“Kjo është tokë evropiane e destinuar për në BE”, Berisha: Policia nëse është porositur të përballet me opozitën, bën gjënë më të gabuar

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, pati një prononcim për mediat pas votës që hodhi për primaret që po zhvillohen në selinë blu. Ai u pyet në lidhje me protestën që do të zhvillohet më 6 Dhjetor. Kryedemokrati tha se policia bën gjënë më të gabuar nëse është porositur të përballet me opozitën. Berisha tha se opozitarët janë më të interesuar se Rama për sigurinë e liderëve europianë.

“Ne jemi më të interesuar se Edi Rama për sigurinë e liderëve europianë dhe mirëmbajtjen e samitit. Mjerë Rama dhe Çuçi. I them Edi Ramës se demokratët protestojnë në qytet, në shesh, por e dinë mirë se burimi i të zezave është në Surrel. Aty burojnë të zezat e këtij vendi. Por vendimi është për të protestuar në qytet. Policia nëse është porositur të përballet me opozitën, bën gjënë më të gabuar”, u shpreh Berisha.

Ndër të tjera, Berisha tha se, “Samiti i 6 dhjetorit është një ngjarje e jashtëzakonshme, historike për arsyet që vijojnë: Së pari, Europa i bën të qartë, duke u mbledhur në Tiranë, i bën të qartë Vladimir Putinit, se kjo zonë, ky territor është i saji dhe ekspansioni dhe ambiciet e tij në Ballkan janë totalisht të papranueshme. I bën të qartë Edi Ramës se luhatjet e tij mes hegjemonizmit serborus me Ballkanin e hapur dhe neo-otomanizmit marrin fund. Kjo është tokë evropiane, e destinuar për anëtarësim në BE. Nuk mund të mohohet se mesazhi i këtij samiti është i jashtëzakonshëm, ndaj e mirëpresim atë”.

Sipas Berishës, samiti i jep mundësi opozitës të tregojë se Rama ulet mbi një karrige që qëndron mbi krimin, drogën dhe votën e vjedhur.

“Nga ana tjetër, ky samit është i bekuar sepse i jep mundësi popullit opozitar që t’u dëshmojë mikpritësve se çfarë fatkeqësie të madhe përfaqëson mikpritësi i tyre, që ulet mbi një karrige që qëndron mbi krimin, drogën dhe votën e vjedhur. Nuk do të kishte rast më brilant se ky rast për t’i bërë anatominë e plotë këtij regjimi përpara 1 mijë gazetarëve të botës dhe udhëheqjes kryesore të Europës. Në këtë kontekst, Edi Rama ulet aty si i pakallur. Populli opozitar me zërin e fuqishëm do i dëshmojë Europës dhe botës se ai që qëndron si mikpritës aty, nuk është gjë tjetër veçse kreu i Meduzës së vjedhjes së zgjedhjeve, drogës, krimit të organizuar, një fantazmë që bredh nga samiti në samit duke mbrojtur interesat ruse në Ballkan, duke u kërkuar europianëve që të mos i kërkojnë Sandrit të tij të respektojë sanksionet ndaj Rusisë. Prandaj ky samit është një moment jashtëzakonisht i veçantë për të protestuar”, u shpreh Berisha.

 

Fraksion.com