AktualitetPolitikëTë fundit

The Times zbulon çfarë prodhoi telefonata e Rishi Sunak me Edi Ramën

Gazeta The Times e Londrës, ka zbuluar detaje të reja nga biseda telefonike të enjten mes kryeministrit Edi Rama dhe homologut anglez Rishi Sunak.

“Shqiptarët të cilët abuzojnë me ligjin britanik të skllavërisë moderne për të shmangur dëbimin, mund të kthehen në Shqipëri dhe pretendimet e tyre si viktima të skllavërisë moderne do të mund të shqyrtohen në vendin e tyre”,  shkruan The Times.

Kjo, thotë The Times, është diskutuar mes dy kryeministrave në mënyrë që emigrantët ilegalë shqiptarë që mbërrijnë me gomone mund të dëbohen pa pasur mundësi apelimi për refuzimin e menjëhershëm të kërkesave për azil.

E gjithë kjo, thekson The Times të cilës i referohet Top Channel,  vjen në kuadër të një plani shoqëruar me një marrëveshje të re mes dy qeverive për dëbimin e shpejtë të shqiptarëve.

Ky plan, sipas The Times, është një hap afër pas telefonatës së Edi Ramës me homologun Rishi Sunak pasditen e së enjtes.

Artikulli i gazetës The Times

Muajin e shkuar ishte sekretarja për punët e Brendshme, Suella Braverman ajo e cila la të kuptohet për këtë plan, i cili i jep fund abuzimit sipas saj nga shqiptarët, të ligjit për skllavërinë moderne, përmes të cilit bllokohet deportimi i tyre drejt Tiranës.

The Times përmes shifrave ilustron abuzimin e këtij ligji kur thotë se 3,432 shqiptarë gjatë 9 muajve të 2022, kanë kërkuar azil pikërisht duke ngritur pretendimin se ata janë viktima të skllavërisë moderne.

Këto aplikime i rendisin shqiptarët si nacionalitetin e parë me numrin më të madh të azil kërkimit,  bazuar pikërisht në këtë ligj.

Sipas këtij ligji që pritet të ndryshojë ata të cilët kërkojnë azil si viktima të skllavërisë moderne u lejohet të qëndrojnë në Angli derisa Ministria e Punëve të Brendshme Home Office jep përgjigjen përfundimtare të pranimit apo refuzimit të kërkesës.

Koha e përgjigjes së shqyrtimit të kërkesës nga Home Office thotë The Times,  zgjat më shumë se 1 vit e gjysmë dhe faturën e akomodimit përfshi atë të ndihmës ligjore duhet ta paguajë shteti anglez..

 

Fraksion.com