Lajmet e rreme që e ndryshuan historinë
Nga Roberto Vivaldelli
Gazetaria e sotme synon që të respektojë të vërtetën thelbësore të fakteve. Kjo do të thotë se të gabosh është njerëzore – edhe në botën e gazetave dhe mediave – por me kushtin që kjo të bëhet me ndershmëri, etikë dhe duke bërë gjithçka që është e mundur për të raportuar lajme që i respektojnë këto norma morale dhe profesionale. E megjithatë, historia e “fake news” (lajmeve të rreme) po zgjat prej shekujsh, dhe nuk shqetëson vetëm botën e medias por edhe atë të politikës. Ja cila janë disa prej tyre që e ndryshuan historinë.
Bernardino Da Feltre (1439-1494) dhe Simonino da Trento
Ngjarja zhvillohet në qytetin italian të Trentos, të dielën e Pashkëve të vitit 1475. Një djalë dy vjeç e gjysmë i quajtur Simonino zhduket. Predikuesi françeskan Bernardino da Feltre mban një seri predikimesh, duke pretenduar se fëmija ishte vrarë nga komuniteti hebre, që ia kishte marrë gjakun dhe e kishte pirë për të kremtuar Pashkët.
Padyshim ishte nje akuzë fare e pabazë, por ky thashethem u përhapën me shpejtësi në qytet. Më vonë, Da Feltre pretendoi se trupi i djalit u gjet në bodrumin e një shtëpie hebreje. Për këtë arsye, Kryepeshkopi i Trentos, Xhovanni Hinderbah, urdhëroi menjëherë arrestimin dhe torturimin e të gjithë komunitetit hebre të qytetit.
15 hebrenj u konsideruan fajtorë dhe u dogjën në turrën e druve. Edhe pse Papati u përpoq të ndalonte Hinderbahun në këto veprime, ky i fundit refuzoi që të takonte të dërguarit e Papës. Dhe duke u ndjerë i kërcënuar, përhapi akoma më shumë informacione të rreme për hebrenjtë, që sipas tij pinin gjakun e fëmijëve të krishterë.
Mbreti Xhorxh II
Në mesin e viteve 1700, media ndihmoi në përhapjen e lajmeve të rreme për shëndetin e Xhorxhit II, që në atë kohë ishte Mbreti i Britanisë së Madhe dhe Irlandës. Ai po përballej me një rebelimin, dhe duhej të tregohej një udhëheqës i fortë për t’u siguruar që rebelimi të mos kishte sukses.
Lajmet e rreme mbi “sëmundjen” e mbretit u përhapën enkas nga rebelët. Kjo e dëmtoi imazhin publik të sovranit, dhe ndonëse rebelimi rezultoi në fund i pasuksesshëm, kjo ngjarje tregoi se si mund të përdoren lajmet e rreme për të ndryshuar opinionet e njerëzve, dhe për të ndikuar në fatin e një ngjarjeje të madhe, si një luftë ao një rebelim. Në këtë aspekt, asgjë nuk ka ndryshuar në thelb që atëhere.
Përhapja e gazetave dhe sensacionalizmi mediatik
Me rritjen e ndjeshme te tirazhit të gazetave midis viteve 1700 dhe 1800, u shtuan edhe mashtrimet që shkruheshin në to, me synim shkaktimin e bujës, që nga ana e saj do të rriste numrin e kopjeve të shitura. Senzacionalizmi shet gjithmonë, dhe në fillimin e shekullit XIX-të hynë në skenë gazetat moderne, të cilat propagandonin histori të rreme për të rritur tirazhin e gazetave.
Mashtrimi i madh i hënës nga gazeta “New York Sun” e vitit 1835, pretendonte se në Hënë kishte një qytetërim alien. Në një shembull tjetër, në vitin 1844, gazetat anti-katolike në Filadelfia përhapi lajmin e rremë se irlandezët po vidhnin Bibla nga shkollat publike, duke shkaktuar trazira të dhunshme dhe sulme ndaj kishave katolike.
Mashtrime dhe propagandë lufte
Rreth vitit 1890, 2 botuesit rivalë të gazetave më të mëdha amerikane, Xhozef Pulicer dhe Uilliam Hwrst, e sfiduan njëri-tjetrin përmes sensacionalizmit, duke i raportuar thashethemet sikur të ishin fakte, një praktikë që u bë e njohur në atë kohë si “gazetaria e verdhë”.
Lajmet e tyre të shtrembëruara luajtën një rol qendror në futjen e Shteteve të Bashkuara në Luftën Spanjollo-Amerikane të vitit 1898. Atë vit në Kubë u mbyt një anije e Marinës së Shteteve të Bashkuara, USS Maine. Disa gazeta të kohës fajësuan spanjollët për fundosjen, dhe përdorën si ilustrim një shpërthim dramatik për të bindur lexuesit dhe për të rritur emocionalitetin e ngjarjes.
Një histori tjetër e rreme daton në vitin 1917, gjatë Luftës së Parë Botërore. Gazetat britanike si “Times” dhe “Daily Mail” raportuan një histori të tmerrshme duke pretenduar se gjermanët po nxirrnin yndyrë nga trupat e ushtarëve të vdekur për të bërë sapun. Historia u trillua nga një departament zyrtar i qeverisë britanike dhe më pas iu shpërnda shtypit.
Zyrtarët e dinin që ky lajm nuk ishte i vërtetë, por ishte e nevojshme që lexuesit të bindeshin se gjermanët ishin një armik barbar, i cili duhej mposhtur. Një tjetër mashtrim më afër në kohë, ka të bëjë me Kolin Pauell dhe fjalimin e tij të famshëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, në vitin 2003, kur ai vendosi të paraqesë gjetjet e supozuara nga Shtetet e Bashkuara për shkeljet e rezolutës 1441 të OKB-së, dhe për zotërimin e armëve të shkatërrimit në masë nga Iraku i Sadam Huseinit.
Lajmi u përhap me shpejtësi nga gazetat dhe televizionet në të gjithë botën. Kështu Perëndimi e gjeti veten në luftë me Irakun, që së shpejti u pushtua nga koalicioni perëndimor. SadamHuseini u rrëzua dhe kështu u arrit qëllimi i “ndryshimit të regjimit”.
Lajmet e rreme sot
Vitet e fundit, dhe sidomos nga viti 2016 e në vazhdim, me zgjedhjen e Donald Trumppresident të SHBA dhe referendumin pro Brexit, ka pasur një bum të “fake news” për shkak të historive të rreme të shpërndara gjerësisht në mediat sociale, pa u verifikuar nga përdoruesit.
Kjo ka çuar në vendosjen e disa masave kufizuese për këto lloj lajmesh, që kënë shkaktuar akuzat për çensurë. Pra, lamtumirë lajmeve të rreme? Sigurisht që jo. Lufta në Ukrainë, si në çdo konflikt tjetër, është shoqëruar me përdorimin masiv të keqinformimit dhe propagandës nga të dyja palët, të përhapura përmes rrjeteve sociale dhe kanaleve në Telegram që janë të vështira për t’u kontrolluar dhe jo gjithmonë të verifikueshme.
Mashtrimi i fundit i njohur – por ka shumë të tjerë në frontin e kundërt – u përhap nga Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës, që foli për një “mini–Aushvic” në Peski–Radkovski.
Serhi Bolvinov, kreu i departamentit të hetimit të Shërbimit të Sigurisë në rajonin Harkiv, kishte fotografuar një maskë kundragaz dhe një kuti plot me dhëmbë njerëzish, duke evokuar kampet naziste të përqendrimit.
Lajmi daton në fillim të tetorit dhe u mor pa shumë verifikime nga mediat dhe u cilësua si i vërtetë. Më pas gazeta gjermane “Bild”, dërgoi disa gazetarë në atë vend, për të demaskuar një tjetër mashtrim të prodhuar nga propaganda e luftës. Në fakt, korrespondentët e gazetës gjermane intervistuan një dentist që njohu kutinë me dhëmbët që ishin vjedhur.
“Dhëmbët duket se m`i kanë vjedhur në zyrë, rusët më kanë grabitur shtëpinë. Këta janë dhëmbët e njerëzve që kam trajtuar gjatë gjithë këtyre viteve”- tha dentisti. Prandaj, nuk ka një “mini–Aushvic”. Sepse në një luftë, viktima e parë është gjithmonë e vërteta. Dhe iluzioni se kjo gjë nuk ndodh në luftërat hibride bashkëkohore, është i rrezikshëm. / “Il Giornale” – Bota.al