Presidenti Steinmeier në Tiranë, pritet me ceremoni zyrtare nga Begaj
Presidenti i Republikës Federale Gjermane, Frank-Walter Steinmeier u prit sot me ceremoni zyrtare në Tiranë nga Presidenti Bajram Begaj.
Kjo është vizita e parë e një presidenti gjerman në Republikën e Shqipërisë, në 27 vite.
Sipas njoftimit zyrtar të Presidencës, vizita përbën një sinjal të mëtejshëm të mbështetjes nga ana e Gjermanisë për të ardhmen evropiane të vendit tonë.
Pas ceremonisë zyrtare të mirëseardhjes në institucionin e Presidentit të Republikës, dy Presidentët Begaj dhe Steinmeier do të dalin në një konferencë të përbashkët për shtyp në orën 10:55.
Gjatë vizitës në Tiranë, Steinmeier do të takohet edhe me kryeministrin Edi Rama dhe gjithashtu do të mbajë një fjalim në Kuvend, në orën 11:30.
Në Tiranë është planifikuar edhe një vizitë në Muzeun Kombëtar “Shtëpia me Gjethe”, një diskutim se si të përballemi me të kaluarën komuniste dhe një bisedë me nxënës nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Në Berat, Presidenti Federal do të njihet me projekte zhvillimore bashkëpunimi shqiptaro-gjermane.
Është hera e parë që presidenti gjerman i viziton zyrtarisht Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, që kur erdhi në post më 19 mars 2017. Për dy mandatet si ministër i Jashtëm, ai e ka rikthyer vazhdimisht rajonin në axhendën e punës së tij.
Fraksion.com