Frank-Walter Steinmeier në Tiranë, pas 27 vitesh një president gjerman viziton Shqipërinë
Për herë të parë pas 27 vitesh, një President gjerman viziton Shqipërinë. Frank-Walter Steinmeier, kreu i shtetit gjerman, nisi këtë të enjte vizitën e tij zyrtare dyditore në Tiranë. Fillimisht u takua me Presidentin Bajram Begaj, me të cilin pati edhe një konferencë për shtyp. Steinmeier theksoi se Gjermania do të vijojë të mbetet në krah të Shqipërisë dhe se do ta mbështesë vendin tonë në procesin e integrimit europian. Ai theksoi se Gjermania e shfrytëzon dhe e përdor Procesin e Berlinit për të përshpejtuar rrugën e integrimit europian të vendeve të Ballkanit.
Pas konferencës me presidentin, Steinmeier u ndal në Parlamentin e Shqipërisë ku pati një fjalim para deputetëve. Steinmeier u shpreh i entuziazmuar për shpirtin europian të Shqipërisë dhe me këtë rast u bëri thirrje skeptikëve të BE-së që të vijnë këtu dhe të “infektohen” me shpirtin pro-europian. Sipas tij, Shqipëria ka bërë progres në reforma dhe këtu foli për reformën në drejtësi, që sipas tij, shërben si shembull në vendet e tjera. Steinmeier pati edhe një apel drejtuar politikës shqiptare për të punuar së bashku në rrugën drejt BE-së.
Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier ka nisur ditën e sotme një vizitë dyditore në Tiranë. Kreu i shtetit gjerman është pritur në Presidencë nga Presidenti Bajram Begaj. Pas takimit, mes të dyve ka patur një konferencë të përbashkët për shtyp. Steinmeier në fjalën e tij u shpreh se Gjermania do të mbetet në krah të Shqipërisë dhe do të vazhdojë ta mbështesë vendin tonë në procesin e anëtarësimit.
“Ju premtoj zoti President që në kontekstin e reformave të nevojshme për procesin e anëtarësimit ne do të vazhdojmë t’ju mbështesim sipas mundësive tona dhe një hap mjaft i rëndësishëm në këtë drejtim është kryer më 19 Korrik, pra të këtij viti, me çeljen e bisedimeve të anëtarësimit. Përgëzimet e mia të përzemërta për këtë. Shpresoj që shumë shpejt Shqipëria të mund të bëhet pjesë e BE-së edhe në dimensionet formale të tij.
Gëzohem shumë i nderuar zoti President për dy ditët e ardhshme të vizitës sime. Unë ju siguroj që Gjermania do të vazhdojë të mbetet në krah të Shqipërisë. Gëzohemi edhe për shumë takime interesante, biseda interesante, përshtypje të reja që mund të mbledhim këtu në Shqipëri dhe do të mund t’i marrim sërish në Gjermani”, u shpreh Steinmeier.
Presidenti gjerman përgëzoi Shqipërinë për progresin në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ai u shpreh se përpjekjet e Shqipërisë në këtë drejtim janë vendimtare për anëtarësimin në BE.
“Edhe për këto suksese dëshiroj t’ju përgëzoj përzemërsisht, në mënyrë të veçantë lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ka kërkuar sikurse e dimë mjaft mirë një volum mjaft të madh pune dhe përpjekjesh dhe sukseset në këtë rrugë janë me rëndësi vendimtare për anëtarësimin në BE, pasi BE e konsideron veten si komunitet i të drejtës dhe sipas të drejtës për demokracitë funksionale. Mendoj që suksesi në këtë drejtim do të ishte në interesin tonë të përbashkët.
Jam shumë i sigurtë që Shqipëria do ta pasurojë BE-në edhe në dimensionin kulturor të saj. Shkëmbimi i ardhshëm, i cili do mbështetet nga BE, do të hapë edhe më fort vendin tuaj, shumë më tepër qytetarë të BE-së do të kenë mundësinë që të shijojnë mikpritjen tuaj të madhe, larminë tuaj unike kulturore sikundër edhe bukuritë natyrore të vendit tuaj”, u shpreh Steinmeier.
Përgëzime pati edhe për angazhimin e Shqipërisë gjatë procesit të Berlinit për marrëveshjet e nënshkruara mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Marrëveshjet janë një gur kilometrazhi në marrëdhëniet rajonale dhe do të ndryshojnë në mënyrë domethënëse realitetin jetësor të njerëzve”, u shpreh Steinmeier.
“Në mënyrë të veçantë na gëzon fakti që vitin e ardhshëm këtu në rajon pikërisht këtu në Tiranë do të zhvillohet samiti i Procesit të Berlinit”, tha Presidenti gjerman.
Steinmeier tha se Gjermania do të japë mbështetjen e saj edhe në krizën energjetike.
“Në këtë krizë aktuale ku flasim për energjinë, politikat energjetike, transformimet, furnizimet me energji, Gjermania dhe BE, Gjermania në rolin e saj si donatori më i madh dypalësh, janë angazhuar pra që të japin mbështetjen e tyre”, u shpreh Steinmeier.
Steinmeier: Procesi i Berlinit për të përshpejtuar rrugën e integrimit europian
Në konferencën e përbashkët për shtyp me presidentin shqiptar Bajram Begaj, kreu i shtetit të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier theksoi mbështetjen e Gjermanisë në rrugën e vendit tonë drejt Bashkimit Europian. Në këtë kontekst, Steinmeier tha se është e qartë se Gjermania e shfrytëzon dhe e përdor Procesin e Berlinit për të përshpejtuar rrugën e integrimit europian të vendeve të Ballkanit.
Bajram Begaj: Procesi i negociatave për anëtarësimin në BE është një proces i gjatë. Hapja e negociatave është arritje historike për vendin tonë dhe natyrisht në rrugën që kemi përpara duhet të kemi një bashkëpunim shumë të mirë brenda vendit dhe natyrisht mbështetjen që kemi pasur nga miqtë dhe partnerët tanë. Gjermania ka qenë një partnere shumë e besuar e Shqipërisë, ka bashkëpunuar ngushtësisht me institucionet shqiptare për të dhënë ndihmë të pakursyer si në reformën në drejtësi, ashtu dhe në atë elektorale, si në procese të tjera integruese dhe besoj ndihma që do të vazhdojë të japë Gjermania në procesin e negociatave, sidomos me ekspertë në fusha të ndryshme në kapituj të ndryshëm në fazën e negocimit do të ishte shumë e mirëpritur.
Frank-Walter Steinmeier: Begaj përmendi se çfarë ka qenë thelbësisht e rëndësishme për ne, si vend i BE, por edhe për Komisionin Europian në mënyrë që të fillojë çelja e negociatave të anëtarësimit. Gjermania e ka parë përgjegjësinë e vet edhe për të mbështetur në reformën e drejtësisë dhe për t’u aktivizuar dhe për t’u angazhuar në reformën elektorale. Besoj se qartësisht në Shqipëri, por edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor është perceptuar qartësisht se ne e shfrytëzojmë dhe e përdorim Procesin e Berlinit për të përshpejtuar rrugën e integrimit europian në mënyrë që këtu të krijojmë dhe të bëjmë gati rrugën për bashkëpunim rajonal, duke reduktuar për shembull pengesat, barrierat e mobiliteti ndërmjet vendeve të Ballkanin. Në këtë kontekst luajnë dhe një rol të rëndësishëm dhe 3 marrëveshjet e mobilitetit që përmenda gjatë fjalës time. E rëndësishme është që këto marrëveshje të zbatohen nga pikëpamja konkrete dhe jo vetëm të jenë marrëveshje politike. Në mënyrë që të 6 vende e Ballkanit Perëndimor. Pa pengesa dhe duke pasur në dispozicion vetëm kartat ID të mund të lëvizin dhe të shkëmbejnë mes njëri-tjetrit. Mobiliteti mes vendeve ama mund të garantohet dhe të jetë i mundur nëse njihen në mënyrë reciproke, diplomat universitare dhe kualifikimet profesional e të vendeve të Ballkanit. Për këto gjëra besoj se ne jemi angazhuar gjatë muajve të shkuar. Dëshiroj që në emër të të gjitha instancave dhe organeve të republikës federale mund të them që ne kemi pasur suksese të konsiderueshme.
Samiti i 6 Dhjetorit, Begaj: Ngjarje historike për Shqipërinë. Steinmeier: Do të ndriçojë rrugën e integrimit në BE
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, dy presidentët Bajram Begaj dhe Frank-Walter Steinmeier janë pyetur në lidhje me samitin e 6 Dhjetorit. Begaj u shpreh se ajo është një ngjarje historike për vendin tonë.
Bajram Begaj: Pas disa ditësh do të mbahet samiti, ngjarje historike për Shqipërinë. Natyrisht që është edhe përgjegjësi shumë e madhe për vendin tonë. Pritshmëria nga ky samit është që të përcaktohen dhe realizohen qartë detyrat që do të ketë çdo vend aspirant për BE nga vendet e Ballkanit Perëndimor, rrugën përpara dhe proceset që ata duhet të ndjekin. Prishtmëritë janë të larta. Në Shqipëri mund të them që është vendi ku sipas gjithë sondazheve është përqindja më e lartë e popullatës që kërkon të jetë pjesë e BE sa më shpejt. Kuptohet që procesi i anëtarësimit në BE nuk është një proces që ka një afat të përcaktuar. Secili vend aspirant duhet të bëjë të gjitha detyrat e shtëpisë. Pa u plotësuar të gjitha kriteret nuk besoj se mund të arrihet një anëtarësim “pro bono. Duhet patjetër që vendi ynë të punojë ngushtësisht me të gjitha institucionet ndërkombëtare, me gjithë vendet partnere, për të realizuar në kohë gjithë procesin e adaptimit për t’u anëtarësuar. Nuk mendoj se ka një kohë që mund ta përcaktoj unë. Koha varet nga puna që do bëjë secili vend që kërkon dhe admiron të bëhet pjesë e BE.
Steinmeier: Unë këtu nuk do të mund të plotësoja diçka të re apo të ndryshme nga ajo që tha presidenti. Duhet të mbajmë në konsideratë që bëhet fjalë për një takim mes vendeve të BE dhe Ballkanit Perëndimor. Nuk bëhet fjalë për një samit që do të ketë vendime të caktuara. Do të ndriçohet sërish procesi i deritanishëm i bërë në rrugën e integrimit në BE duke dhënë dhe inkurajimet e duhura për të vijuar më tej në këtë rrugë për të gjashta vendet e Ballkanit Perëndimor. Shqipërinë dhe RMV që e vizituam 2 ditët e fundit janë vende që do të mund të shfaqeshin me krenari në këtë proces. Kanë vendosur këtë gur kilometrazhi në procesin e anëtarësimit në BE përmes çeljes së negociatave.
Presidenti gjerman tregon arsyen e vizitës së tij në Shqipëri
Në konferencën për shtyp me homologun e tij shqiptar, presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier tha se vizita e tij që njeh dhe respekton atë që keni arritur dhe si një inkurajim për të vijuar më tej në rrugën e nisur.
Bajram Begaj: Axhenda e mbështetjes gjermane ka filluar që 30 vjet më parë për vendin tonë në gjithë rrugëtimin europian. Ëndrra për t’u bërë pjesë e BE ka filluar që në vitet ’90 dhe siç e përmenda pak më parë nuk mund të jepet pro bono nga askush. Kjo vizitë e sotme e presidentit gjerman në vendin tonë është tregues i mbështetjes gjermane në rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE. Mendoj se fryma e miqësisë dhe bashkëpunimit do të ketë një shtim më të madh dhe natyrisht duhet që në këtë bashkëpunim duhet që respekti reciprok dhe mbështetja që duhet t’i kërkojmë Gjermanisë të varet shumë edhe tek puna jonë.
Frank-Walter Steinmeier: Do doja që mos të ndryshonte asgjë, pasi pas këtyre 30 viteve ne kemi një bashkëpunim dhe marrëdhënie të shkëlqyera politike me njëri-tjetrin. Dendësia e vizitave reciproke tregon dhe dëshmon se interesi për njëri-tjetrin është rritur me kalimin e viteve, ndaj unë gëzohem që me këtë mënyrë dhe këtë takim ne sot kemi kontribuar sadopak për të rritur, për të përforcuar dhe për të zgjeruar marrëdhëniet tona në fusha të ndryshme. Ju lutem ta kuptoni këtë vizitë si një vizitë që njeh dhe respekton atë që keni arritur gjatë 30 viteve dhe si një inkurajim për të vijuar më tej në rrugën e nisur.
Steinmeier thirrje skeptikëve: Ejani në Shqipëri dhe “infektohuni” me shpirtin pro-europian
Presidenti i Gjermanisë, Steinmeier, gjatë fjalës që pati në parlament përpara deputetëve u bëri thirrje të gjithë atyre që dyshojnë në Bashkimin Europian që të vijnë në Shqipëri dhe të “infektohen” me shpirtin pro-europian.
“Më enuziazmon fakti të nderuar zotërinj dhe zonja deputete se sa shumë ndihet shpirti europian në vendin tuaj. Dëshiroj që në një farë mënyrë t’u bëj thirrje të gjithë njerëzve që kanë dyshime për BE-në që në njëfarë mënyre kanë humbur nga sytë dimensionin historik të projektit europian, dëshiroj t’i bëj thirrje të gjithë atyre, ejani në Shqipëri dhe lejoni të “infektoheni”, në një farë mënyrë, këtu sërish me shpirtin pro-europian”, u shpreh Steinmeier.
Më tej ai shtoi se: “Kam parë me gëzim si shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë vendosur në kuadër të Procesit të Berlinit masa të reja që e kanë përmirësuar që tani jetën e të gjithë banorëve të rajonit në mënyrë krejt praktike dhe konkrete. Tregu i përbashkët rajonal do t’i çojë përpara ekonomikisht të gjitha vendet e BE-së. Të gjitha këto e thjeshtojnë dhe e përmirësojnë jetën e qytetarëve në vendin tuaj, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor”.
Steinmeier: Reforma në Drejtësi, shembull për vendet e tjera
Gjatë fjalës që mbajti në parlament, presidenti gjerman Steinmeier, u ndal edhe tek reformat që ka ndërmarrë vendi ynë. Ai tha se ato janë të identifikueshme teksa u ndal edhe tek reforma në drejtësi. Për këtë të fundit tha se është një shembull për vendet e tjera.
“Aktualisht ka një reformë voluminoze në drejtësi, e cila që në këtë fazë shërben si shembull në vendet e tjera. Të gjitha këto bëhen atëherë kur e di se çfarë do dhe ju shumë të nderuar e dëshironi një të ardhme të mirë për Shqipërinë dhe vendi juaj do të jetë një partner mjaft i besueshëm për shtetet anëtare të BE-së”, u shpreh Steinmeier.
Steinmeier apel deputetëve: Punoni përtej llogoreve mes opozitës dhe qeverisë
Nga foltorja e Kuvendit, presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier kishte një apel drejtuar politikës shqitpare, për të punuar së bashku në rrugën drejt BE.
“Unë e di që rruga e Shqipërisë në BE do të vijojë të jetë ambicioze, ndaj ju lutem sot vazhdoni të punoni më tej në luftën kundër pengesave, atje ku ato ndodhen, punoni më tej në sprapsen e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Vijoni reformën në drejtësi, të iniciuar tanimë dhe punoni para së gjithash përtej llogoreve mes opozitës dhe qeverisë. Punoni së bashku, mendoj që destinacioni i përbashkët për anëtarësimin në BE, ia vlen këtë përpjekje. Sikundër deri më tani, ju mund të keni besim në mbështetjen e mëtejshme të Gjermanisë në këtë rrugë”.
Steinmeier: Shqipëria, e provuar në nivel ndërkombëtar si demokraci e pjekur
Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier e vlerësoi si mbresëlënëse këmbënguljen e vendit tonë për të vijuar drejt anëtarësimit në BE, pavarësisht goditjeve të njëpasnjëshme si tërmeti, pandemia e tashmë dhe pasojat e luftës në Ukrainë.
“Ju po përshkoni rrugën e procesit të anëtarësimit në kushte vërtetë të vështira. Sulmi brutal i Rusisë kundër Ukrainës, e ka zhytur të gjithë Europën në krizë ekonomike dhe pasojat ndihen në mbarë botën. Vendin tuaj e ka goditur kësisoj fort rritja e çmimit të energjisë, i karburanteve është rritur me më shumë se 50 përqind, kriza ekonomike, dhe unë e di këtë është një tjetër goditje me të cilën duhet të përballeni pas tërmetit dhe pandemisë. Pra një goditje tjetër me të cilën duhet të përballeni. Ndaj bëhet edhe më mbresëlënëse të shohësh se me sa këmbëngulje vendi juaj vazhdon të ndërmarrë përpjekjet e nevojshme për anëtarësimin në BE”.
Në fjalën e mbajtur para deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë, Frank-Walter Steinmeier vlerësoi se Shqipëria me pozicionimin e saj krah vlerave europiane mund të jetë model shumë i mirë për europianët dhe vetë Gjermaninë. Kreu i shtetit gjerman po ashtu tha se “edhe pse anëtarësimi në BE nuk është ende realitet, Shqipëria në nivel ndërkombëtar është provuar prej kohësh si demokraci e pjekur”.
“Në Shqipëri nuk ka asnjë dyshim në orientim e qartë drejt BE dhe ankorimit të palëkundur në NATO. Qëndrueshmëria juaj, pozicioni juaj në krah të vlerave tona europiane dhe transatlantike më emocionojmë. Dhe ju mund të jeni model për shumë njerëz kudo në Europë, edhe në vendim tim. Edhe pse anëtarësimi në BE nuk është ende realitet, Shqipëria në nivel ndërkombëtar është provuar prej kohësh si demokraci e pjekur, 30 vjet pas traumës historike të diktaturës, vendi juaj është sot një aktor i njohur në skenën ndërkombëtare, dhe një mbrojtës i rendit botëror të bazuar në rregulla. Si anëtar i NATO dhe OSBE dhe aktualisht si anëtarë jo i përhershëm i KS në OKB, ju bashkëpunoni ngushtësisht me partnerët tuaj transatlantik dhe europian pas luftës brutale të Rusisë ndaj Ukrainës, Shqipëria u vendos qartësisht në krah të të sulmuarve, viktimave në skenën ndërkombëtare. U tregua solidare dhe pranoi refugjatë dhe edhe për këtë dëshiroj të shpreh falenderimin tim të përzemërt”.
Presidenti gjerman shprehet me fjalët më të mira për Tiranën
Në vizitën e tij në Shqipëri, Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier nuk i ka kursyer fjalët e mira për Tiranën dhe përshtypjen që i ka lënë kryeqyteti i shqiptarëve.
“Kënaqësi të jem pranë jush në Tiranë, në këtë qytet rinor, entuziast për të ardhmen, një qytet i vërtetë europian”, tha Steinmeier në fjalimin e tij në Kuvendin e Shqipërisë. Presidenti gjerman, i cili ka mbërritur ditën e sotme në Tiranë shtoi Tirana e meriton titullin Kryeqyteti Europian i Rinisë 2022, në një kohë që vendi ka nisur çeljen e bisedimeve drejt BE-së.
“Tirana është qendra politike e Shqipërisë ku gjallëron demokracia evropiane. Kryeqyteti Europian i Rinisë 2022, e çfarë do t’i shkonte më shumë sesa ky titull tani që me çeljen e bisedimeve drejt BE-së, nis një fazë e re dhe e ardhmja e Shqipërisë në Evropë është duke u konkretizuar“, tha ai.
Fraksion.com