AktualitetLife StyleTë fundit

Xhubleta, histori dhe strehë shpirtërore

“Xhubleta në kulturën shqiptare vesh amën e trashëgimisë kulturore, si histori dhe si strehë shpirtërore”.

Kështu e ka përshkruar koleksionistja Luljeta Dano rëndësinë e xhubletës për kulturën dhe historinë shqiptare.

Ajo ka qenë zëri i parë i nismës së përfshirjes së xhubletës nën mbrojtjen e UNESCO-s. Çka u bë realitet.

Tanimë, xhubleta, aftësitë, mjeshtëria dhe format e përdorimit janë përfshirë në listën e Trashëgimisë Kulturore Jo-materiale nën mbrojtjen e UNESCO-s.

Pak kohë më parë, Dano ka treguar për Albanian Post se të dhënat historike dhe antropo-arkeologjike të kohëve të sotme, tregojnë se xhubleta mund të jetë minimalisht prezente prej katër mijë vjetësh.

“Kampione” apo subjekte të ngjashme me të, janë gjetur në Bosnie, gjithashtu dhe në zona të tjera në Mesdhe – gjë që e lidh në mënyrë të drejtpërdrejtë me qytetërimet antike të Mesdheut.

“Xhubleta na paraqitet sot si veshje tradicionale e grave në Alpet Shqiptare, por misioni i saj për të veshur gruan, as nuk fillon dhe as nuk mbaron me funksionin utilitar të të veshurit”, ka dalluar ajo.

Në përpjekjen e saj shumëvjeçare për ta njohur këtë veshje të sofistikuar ceremoniale, fuqia e saj burimore nuk qëndron vetëm në atë që duket apo në çfarë dihet për të.

“Shtjella thithëse e xhubletës gjendet më shumë në atë që nuk duket dhe që nuk dimë për këtë veshje monumentale”, ka vijuar koleksionistja.

Sipas saj, xhubleta ka shërbyer si një transportuese kalimesh nga koha në kohë, me funksion të lartë kultik për të lartësuar hyjninë e lashtë, Magna Matter, Nëna e Madhe, për të mbrojtur zinxhirin e pashkëputur të jetës.

Këtë, me shenjëza të përcaktuara mirë e të gjalla që ndikojnë rrjetën energjetike të natyrës së jetës.

“E para ishte fjala! Kurse në trashëgiminë kulturore shqiptare, e para ishte xhubleta!”

Kështu e ka nisur trajtesën e tij kushtuar xhubletës profesoreshë Afërdita Onuzi, me fjalët e Ungjillit sipas Gjonit.

“Atribute prej së larti, studiuesit e mirënjohur shqiptarë dhe të huaj, ia blatojnë xhubletës që nga referenca e parë që kemi për të, si veshje e grave kelmendase, rreth vitit 1750, kur Daniel Kordinez vizitoi kelmendaset e Sremit”, ka treguar Dano.

Kordinez ka shkruar se “as palloi, as ylberi nuk kanë aq ngjyra sa xhubleta”.

Xhubleta si dijebërje e teknologjive të prodhimit të saj, për fat është ende e gjallë, sipas koleksionistes.

Por bartëset e saj janë kryesisht të moshuara, janë nga të fundit që mund ta përcjellin këtë dëshmi te gjeneratat e reja.

“Veshja me xhubletë gëzon statusin ‘kryevepër’ e trashëgimisë kulturore shqiptare dhe është e rëndësishme për vetë komunitetin e trevës etnologjike që e ka:, ka veçuar Dano.

Dhe se, për shkak të daljes nga përdorimi i përditshëm, nevojiten projekte që të ndihmojnë në mbajtjen në jetë të dijebërjes së xhubletës.

Mbrojtja nga UNESCO si pasuri e njerëzimit në rrezik, në gjykimin e Danos, do t’i siguronte xhubletës praktika më të favorshme për ruajtjen, konservimin, promovimin dhe zhvillimin nga institucionet përgjegjëse të kulturës e turizmit.

Si nga ato qendrore në Tiranë, edhe nga institucionet lokale të hartës së xhubletës ku banojnë bartësit e saj në veriun e Shqipërisë.

“Turizmi kulturor është gjithnjë i orientuar nga kjo listë vlerash nga UNESCO, kështu që për vetë komunitetin do të jetë një hapësirë e volitshme në zhvillimin e biznesit të turizmit dhe jetës kulturore”, ka parashikuar Dano.

 

Fraksion.com