AktualitetBota+Të fundit

Tregtia përmes rrugëve detare merr sërish hov

Tarifat e ngarkesave arritën nivele rekord në vitet e krizës. Kjo tendencë ka ndryshuar tani. Në të njëjtën kohë po lehtësohet pritja e anijeve para porteve të mëdha. Megjithatë kjo nuk është arsye për t`u entusiazmuar.  

Ekonomia globale po vuan ende nga pasojat e pandemisë së koronës dhe luftës në Ukrainë. Megjithëse nga kjo tregtia botërore ka humbur ritmin, shumë zinxhirë furnizimi janë çarë dhe ndërveprimi ekonomik në mbarë globin po kalon një provë të vështirë, ka shenja të çtensionimit të pjesshëm të situatës. Kjo konstatohet edhe nga shoqata e pronarëve gjermanë të anijeve (VDR). Drejtori i përgjithshëm Martin Kröger sheh për këtë disa arsye, si p.sh përfundimin e grevave të punëtorëve të porteve në Gjermani. Situata në përgjithësi është çtensionuar, madje është normalizuar: “Prandaj ne i shohim pritjet e anijeve para brigjeve evropiane si të kapërcyera”, thotë ai për DW.

Edhe hapësirat në anije, domethënë kapaciteti në dispozicion për ngarkesat e mallrave, nuk është aq e pakët sa vitin e kaluar. Kjo vërehet në tarifat e mallrave, pra në shpenzimet që bëhen për transportin e kontejnerëve – ato po bien ndjeshëm sërish. Martin Kröger: “Sot transporti detar është kthyer në nivelin që ka pasur para pandemisë.”

Gazeta Handelsblatt ka përllogaritur se tarifat e ngarkesave pjesërisht nuk janë “më të shtrenjta” se para pandemisë. Për shembull, transportimi i një kontejneri 20 ft nga Kina për në Evropën Veriore do të kushtonte mesatarisht 1,479 dollarë, në fillim të këtij viti çmimi ishte 8000 dollarë. Ai po ashtu thotë se dërgesat nga Shangai për në Bregun Perëndimor të SHBA janë madje edhe më të lira se në vitin 2019.

Anijet me kontejnerë në portin e Hamburgut Anijet me kontejnerë në portin e Hamburgut

Një ulje ngritje logjistike

Vincent Stamer nga Instituti për Ekonominë Botërore (Ifw) në Kiel shpjegon arsyen. “Gjatë pandemisë sidomos evropianët dhe amerikanoveriorët e rritën kërkesën për mallra elektronikë, mobilje dhe vegla sporti. Në të njëjtën kohë firmat u përpoqën t‘i zgjidhnin vështirësitë e furnizimit duke i mbushur magazinat, thotë Stamer për DW. Vendimtare për zhvillimin aktual të tarifave të ngarkesave është tani “rënia e kërkesës për mallra fizike”.

Kushtet aktuale të pafavorshme ekonomikenë Evropë dhe SHBA e ulin kërkesën. “Inflacioni, frikërat nga recesioni dhe një rotacion i shërbimeve e ulin kërkesën për mallra”, thotë Stamer. Rënia e kërkesës do të thotë se oferta e hapësirës për ngarkesa në transportin detar është sërish e mjaftueshme, gjë që reflektohet në uljen e tarifave të ngarkesave.

90 për qind e tregtisë botërore kryhet përmes deteve. Dhe kushdo që jeton në bregdet apo në një qytet me një port të madh i ka parë vetë bllokimet e trafikut të anijeve me kontejnerë. Këto pritje të gjata tani nuk janë më. A është gjë e mirë kjo për konsumatorët? A nuk ndihet kjo edhe në tregjet e konsumit? Po, thotë ekonomisti i Ifw, Stamer; “Rënia e tarifave për ngarkesat e mallrave është lajm i mirë. Firmave u duhet të shpenzojnë afro një ndër dhjetë euro për logjistikën dhe transportin. Prandaj çtensionimi i tarifave të ngarkesave ul kostot për kompanitë dhe ka në fund ndikim edhe në çmimet e konsumit”.

Sommer in Deutschland Flash-Galerie

Por pronarët e anijeve thonë jo. Për Gjermaninë zhvillimi në fakt është pozitiv. Por konsumatorët vështirë se do ta vërenin rënien e kostove të transportit. Sipas VDR ajo përbën vetëm “një pjesë shumë të vogël të çmimit të konsumit përfundimtar të mallrave të transportuara”.

Sipas Martin Kröger, nuk priten rënie të mëtejshme të kostove të ngarkesave të mallrave. “Një regjim i rreptë i reduktimit të CO2 të BE do ta bëjë gradualisht të detyrueshëm përdorimin e karburanteve pa emetim, të cilat janë shumë më të shtrenjta për t’u blerë dhe përdorur se sa karburantet fosile konvencionale”.

Pritet rritje e kostove

Që vitin e ardhshëm, sipas VDR, do të hyjnë në fuqi kërkesat e reja të Organizatës Ndërkombëtare Detare IMO për reduktimin e emetimeve. Prandaj vëzhguesit parashikojnë “nevojë për të shtuar tonazhin, pasi shumë kompani të transportit detar do të ulin shpejtësinë e anijeve të tyre për të kursyer emetimet”.

Pas një farë kohe do të vihen në shërbim anije të reja, shumë prej të cilave janë porositur tashmë. Arsyeja kryesore e investimeve nuk është për të pasur më shumë tonazh në dispozicion, por për të qenë në gjendje për të përmbushur rregulloret më të rrepta mjedisore. “E gjithë kjo,” thotë Kröger, “kushton shumë para”. Dhe ajo do të ndikojë gjithashtu në çmimin e tarifave të ngarkesave të mallrave.

Pyetja është se si do të zhvillohet oferta e tonazhit të anijeve nga njëra anë dhe kërkesa për hapësirë ​​ngarkese në anijet nga ana tjetër. Për momentin duket se ka një ofertë të tepërt për hapësirë ngarkese.

Pronarët gjermanë të anijeve e shohin veten në rrugën e duhur, nëse i përshtasin anijet e tyre me standardet e reja mjedisore. Vincent Stamer sheh këtu një rrezik ekonomik për këtë degë: Anijet e reja të mallrave “do ta rrisin ofertën për mundësitë e transportit dhe do ta vazhdojnë presionin mbi tarifat e ngarkesave. Kjo degë nuk mund të jetë e sigurtë se fitimet e viteve të fundit do të mbajnë edhe në të ardhmen”.

Një gjë të tillë nuk e pret as Martin Kröger nga VDR: “Marzhet e larta të fitimit të një viti e gjysmë nuk priten më. Megjithatë ne ende mendojmë se biznesi do të jetë fitimprurës.” Dhe kjo është edhe e nevojshme për të përballuar “investimet në teknologjitë që ruajnë klimën në mënyrë që të përmbushen kërkesat për reduktimin e CO2”./DW

 

Fraksion.com