AktualitetTë fundit

Ngjarja e mistershme. Si u aksidentua Pashko në plazhin e Palasës

Është ditë e diel, 16 korrik 2006. Gramoz Pashko së bashku me familjen janë me pushime në Himarë.

Konkretisht ata ndodheshin në vendin e quajtur “Rrugët e Bardha” në fshatin Palasë. Në një plazh të veçuar rreth 2.5 km nga rruga automobilistike Himarë – Vlorë.

Që në orët e para të mëngjesit ata i janë drejtuar detit së bashku me disa miq të tyre. Pasi kanë qëndruar disa orë janë futur në det për t’u larë disa persona, mes të cilëve dhe Gramoz Pashko.

Vendi ku ata po laheshin ka qenë plot me shkëmbinj. Të tjerët kanë dalë nga uji, ndërsa Pashko ka vazhduar të notojë dhe disa minuta më vonë. Në një moment ai ka hipur në një shkëmb, nga ku dhe ka përshëndetur me dorë personat që ishin me të.

Kishin kaluar rreth 30 minuta dhe ai nuk po dukej më. Familjarët të shqetësuar kanë nisur ta kërkojnë. Me vështirësi kanë dalluar midis shkëmbinjsh e dallgësh trupin e tij përmbys, me fytyrë në ujë. Kanë ndërhyrë me vështirësi sepse deti kishte dallgë.

Ata kanë arritur ta nxjerrin nga deti në një terren të vështirë. Lartësia e shkëmbinjve ka qenë rreth 3 metra dhe për ta nxjerrë nga andej duhej litar dhe barelë.

Eva Dibra mjeke e përgjithshme në profesion dhe në të njëjtën kohë mike e ngushtë e familjes ka qenë e para që i ka dhënë ndihmën mjekësore. Për herë të parë ajo rrëfen për Inside Story, tmerrin që kanë përjetuar në ato momente.

“Ishte një moment traumatik, nuk e gjeta unë por im bir që kishte rënë përmbys, thirri thirri, dhe shkuam im shoq dhe pastaj unë. Ishte gjiri i vogël dhe me shkëmbinjtë aty në Palasën e vogël, e nxorëm ja ashtu ishte një shkëmb pak i pjerrët dhe filluam ti bënim frymëmarrje artificiale dhe masazh zemre. Zemra filloi të punonte por frymëmarrja është ashtu si superficiale mushkëritë të mbushura me ujë, gjendja ishte shumë e rëndë. Zgjati ajo frymëmarrja deri sa erdhi helikopteri. Erdhi dhe i biri se ishte në Himarë. Ishte një tmerr s’di ç’të them një tmerr”- u shpreh mjekja që asistoi, Eva Dibra.

Fraksion.com