Kosova kremton 28 nëntorin
Sheshi qendror i Prishtinës të hënën ishte plot me qytetarë nga pjesë të ndryshme të Kosovës, të cilët po kremtonin 110 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, që në Kosovë tradicionalisht kremtohet si ditë e flamurit kombëtar shqiptar.
“Të gjithë shqiptarëve kudo që janë urime festa, dita e flamurit dhe dita e pavarësisë së shtetit shqiptar, nënës Shqipëri dhe nënës Kosovë. Unë besoj që në të ardhmen do të vetëdijesohemi dhe do të orientohemi në atë rrugën e mbarë siç e kërkon kombi shqiptar”, tha Xhemajl Ilazi.
“Ne faktikisht jemi të bashkuar, unë jam e Shqipërisë dhe burrin e kam të Kosovës, ne jemi bashkuar prej viteve ’80. Kështu që bashkimi kombëtar ka ndodhur, do të ndodhë edhe po ndodhë. Posaçërisht me parlamentin e Shqipërisë dhe të Kosovës jam e shumë e lumtur që i kemi parë të bashkuar edhe qofshin të bashkuar gjithmonë e u gëzofshim të gjithë së bashku”, tha Mejreme Tafaj Bunjaku.
“Uroj që fati, shëndeti dhe gjithçka e mirë, energjia pozitive ta përcjellë gjithë popullin shqiptar kudo, të zgjohen, të vetëdijesohen se vetëm me të mirë mundemi ta ndalojmë të keqen”, tha Fatmir Muqolli.
Në nderim të kësaj dite togu ceremonial i Forcës së Sigurisë së Kosovës parakaloi në qendër të Prishtinës.
Udhëheqësit politik të Kosovës në përgëzimet e tyre vlerësojnë se festa e flamurit është një prej vlerave më të mëdha të kombit shqiptar.
28 nëntorin shqiptarët e Kosovës e kremtojnë edhe si ditën e daljes së parë publike të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në vitin 1997 dhe ditëlindjen e komandantit të saj Adem Jashari.
28 nëntori nuk është përfshirë në festat shtetërore të Kosovës, por radhitet në mesin e festave përkujtimore si festë e shqiptarëve.
Kosova për pak muaj shënon edhe 15 vjetorin e shtetësisë së saj, që mbështetet nga vendet kryesore përendimore, ndërsa kundërshtohet nga Serbia dhe aleatja e saj Rusia. Sipas një ankete të organiztës joqeveritare AKTIV me seli në Mitrovicën e Veriut, 70 për qind e serbëve në Kosovë konsiderojnë se nga faktorët ndërkombëtarë, Rusia është mbrojtësi më i mirë i interesave të komunitetit serb.
Sipas të dhënave të anketës së publikuar të hënën me titullin “Analiza e trendit të qëndrimeve të komunitetit serb në Kosovë”, 55 për qind e të anketuarve konsiderojnë se në tri vitet e ardhshme jeta e serbëve në Kosovë do të përkeqësohet derisa vetëm 7 për qind e tyre mendojnë që situata në Kosovë është duke shkuar në drejtimin e duhur.
Fraksion.com