AktualitetPolitikëTë fundit

“Të thellojnë bashkëpunimin”, Kurti: Të punojmë së bashku, këtu kalaja ku vëmë të gjithë nga një gurë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi sot se dy vendet duhet të thellojnë bashkëpunimin, të ndajnë ide me njëri-tjetrin, të pranojnë perspektivat e ndryshme, e kritikat ndaj njëri-tjetrit, pasi, theksoi ai, hapësira publike, politika, kultura dhe ekonomia nuk janë çifligje të bllokuara me tapi, por e përbashkëta, kalaja ku vënë të gjithë nga një gurë.

Në fjalën e tij, në seancën e përbashkët të dy Kuvendeve që po mbahet në Tiranë, me rastin e 110 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, Kurti uroi shqiptarët anekënd botës, duke e cilësuar këtë si festë e shenjtë për identitetin kombëtar.

“Deklarata e Pavarësisë evidenton Islmail Qemalin si prijës mes të barabartëve, pra si prijës republikan. Sipas shumë studiuesve mendohet se deklarata është shkruar nga ministri i parë i arsimit, Luigj Gurakuqi. Por 7 vite më pas, teksa në rendin e ditës ishte Traktati i Londrës dhe copëritmi i mëtejshëm i trojeve shqiptare, vetëm pak ditë para festës së Flamurit, Gurakuqi kërkonte bashkim kundër çdo copëtimi e shkruante: festa e 28 nëntorit duhet të jetë për ne të gjithë, jo vetëm ditë gëzimi, por edhe pendimi në të cilën duhet të bëjmë shqyrtimin e vetdijës sonë. Në këtë ditë duhet të vënë të gjithë dorën në zemër e të pyesin vetës nëse kemi bërë gjithmonë detyrën që kishim për atdheun. T’i tregojmë pa turp e t’i njohim fajet tona, të harrojmë armiqësitë që na ndajnë, t’i japim vëllazërisht dorën njëri-tjetrit dhe të betohemi mbi besën e gjyshërve tanë se sot e më pas do të përpiqemi me të vërtetë për të mirën e Atdheut, për lulëzimin e kombit, për nderin e flamurit tonë“, tha kryeministri Kurti.

Kurti theksoi se ndarjet krahinore ishin edhe dje e edhe sot pengeseë.

“Gurakuqi vet nuk mjaftohej me Shkodrën e gegnin. Ai ishte pjesëmarrës edhe në toskëri e Kosovë, ashtu siç nuk mjaftohej Çerçizi me Gjirokastrën, Hasani me Prishtinën, Parashqevi e Sevasti Qiriazi me Manastirin , Mehmet Pasha me Tetovën, apo Bajram e Isa Begu me Kosovën. Ndarjet krahinore ishin pengesë atëherë e janë edhe sot. Prandaj duhet të gëzohemi kur përfshihemi sa më shumë në jetën publike të njëri-tjetrit, jo për të penguar por për të kontribuuar. Hapësira jonë publike, politika, kultura dhe ekonomia nuk janë çifligje të bllokuara me tapi, por e përbashkëta, kalaja ku vëmë të gjithë nga një gurë”, tha ai.

Kurti vuri theksin në rëndësinë e të qenurit më shpesh bashkë.

“Duhet të jemi më shpesh bashkë, jo vetëm në festa, jo vetëm politikanët, na duhet të punojmë bashkë, të ndajmë ide me njëri-tjetrin, të pranojmë perspektivat e ndryshme e kritikat ndaj njëri-tjetrit, pra të punojmë së bashku”, u shpreh Kurti.

Kryeministri i Kosovës, po ashtu theksoi se thellimi i ndarjes nuk i shërben kombit.

“Teksa në Evropën Lindore po vinte demokracia e muri i Berlinit ra, e Gjermania festonte lirinë, duke u bashkuar, një shkencëtar e politolog kosovar Ukshin Hoti thoshte se: politikanët shqiptarë duke thelluar ndarjen mes tyre përtej kufijve të demokracisë, po ju japin arsye atyre që dëshirojnë ti shohin të ndarë si popull. Në veprën e tij madhore “Filozofia politike e çështjes shqiptare”, ai kërkon nga politikanët shqiptarë që të kenë si prioritet kryesor pozitën ndërkombëtare të Kosvës së Shqipërisë dhe jo atë vetjake. Jam i sigurtë që shumica këtu bini darkord brenda vetes me mesazhet e Luigjit dhe Ukshinit”, deklaroi Kurti.

Kryeministri Kurti ndau dhe disa nga arritjet që janë bërë sa i takon bashkëpunimit dypalësh.

”Shqipëria ka bërë hapa të mëdhenj përpara. Ajo sot është vend i NATO-s, anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB –së ka nisur negociatat për anëtarësim në BE dhe ka bërë hapa të dukshëm në shumë fusha. Urojmë që sukseset e Shqipërisë, bashkëkombasve tanë t’u shtohen çdo dit të Flamurit. Jam i sigurtë që po njëlloj gëzon dhe Shqipëria për Kosovën dhe sukseset e saj. Kemi tashmë Abetaren e përbashkët dhe po punohet për Fjalorin e Përbashkët Enciklopedik. Teksa ministritë e Arsimit bashkëpunojnë çdo ditë për avancim në këtë fushë kyçe për zhvillimin tonë kombtar. Kemi unifikuar tregjet e punës dhe po punojmë për unifikimin e sistemit doganor e tatimor. Kemi financuar së bashku fizibilitetitin e hekurudhës Durrës-Prishtinë“, u shpreh ai.

Për Kurtin problem më i mprehtë i dy vendeve, në këto momente, është largimi i të rinjve, ndërsa premtoi se nuk do të reshte përpjekjet për përmirësimin e shtetbërjes dhe kthimin e besimit në institucione.

“Situata nuk është kurrë rozë dhe nëse ndalim përpjekjen e pushojmë se punuari, rrezikojmë. Pra rreziku është mosverpimit, jo veprimi, Vendet tona ballafaqohen me probleme, më i mprehti është largimi i rinisë. Dua t’u dërgoj një mesazh atyre që morën rrugën e dhimbshme të kurbetit. Kjo ditë është edhe e juaja. Mërgimtarët janë mbështetja më e madhe ekonomike për vendet tona e familjet e tyre, por edhe burim demokratizimi e kulture. E di që skemi bërë ende mjaftueshëm që tu kthejmë besimin në institucione, që ju të mendoni rritjen e fëmijëve tuaj në atdheun tuaj, si opsionin më të mirë. Premtoj se këtë betejë do ta bëjmë deri në fund edhe me ndihmën tuaj”, tha ai.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com