AktualitetBota+Të fundit

Parisi përpiqet të përshtatet me rolin e ri të Berlinit në Evropë

Furtuna e fundit midis Parisit dhe Berlinit duket se kaloi. Tensionet flasin për vështirësi të Parisit për të pranuar një Gjermani që kërkon të veprojë në përputhje me kapacitetet e saj, shkruan Auron Dodi.   

Gjermania dhe Franca kanë ndërmarrë hapa të dukshëm për të rikrijuar harmoni në marrëdhëniet dypalëshe. Vizita të premten (25.11.) në Berlin e kryeministres franceze, Elisabeth Borne mbylli një javë me intensitet të pazakontë vizitash dypalëshe. Parisin e vizituan këtë javë për tema të ndryshme, ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, pas saj ministri i Ekonomisë, Robert Habeck dhe më tej ministri gjerman i Financave, Christian Lindner. Presidenti francez Emannuel Macron u ofroi pritje të posaçme të tri ministrave gjermanë. Ky hap i pazakontë protokollar flet ndër të tjera për nevojë për të biseduar.

Në Paris, ministja e Jashtme Baerbock tha se “dallimet (dypalëshe) nuk janë skandal, por të vetëkuptueshme”. Kurse ministri gjerman i Ekonomisë Habeck tha se “ne e dimë që vijmë nga këndvështrime të ndryshme dhe kemi tradita të ndryshme ekonomike, por kjo është gjithmonë pikënisje për zgjidhje.”

Mediat franceze: a do të ndahet dyshja franko-gjermane?

Mosmarrëveshje Franca dhe Gjermania kanë aktualisht për shumë çështje që prekin Evropën. P.sh. për krizën energjetike, ku kërkohet vendosja e një kufiri të subvencionuar në BE për çmimin me shumicë të gazit. Franca kërkon që tavani i çmimit të gazit të subvencionohet me borxhe të BE, Gjermania e disa shtete të tjera janë skeptike për ndërhyrje të tilla në treg.

Franca bllokon më tej një tubacion gazi që do të kalonte edhe nëpër Francë, të cilin e duan me këmgëngulje Gjermania dhe Spanja.

Së fundi, Franca e akuzoi Gjermaninë se paketa që Gjermania i ka vënë në dispozicion ekonomisë gjermane, 200 miliardë euro, dëmton konkurencën evropiane.

Në aspektin ushtarak, në fund të tetorit, Franca nuk u bashkua me iniciativën e nxitur nga Gjermania të 15 shteteve, European Sky Shield Initiative, me të cilën Gjermania ofron mbrojtje kundërajrore për Evropën.

Më tej, zgjerimi i BE ka shkaktuar parehati te Franca. Gjermania është qartësisht në mbështetje të zgjerimit të BE, veçanërisht në Lindje. Kurse Franca është shumë e rezervuar për këtë. Franca kërkon përqendrim te bërthama e BE, po qe e mundur madje te shtetet themeluese të BE.

Zbutja e rregullave të kufirit të borxheve të BE, të Paktit të Stabilitetit, është një fushë tjetër ku dy shtetet kanë qëndrime të dallueshme.

Përballë mosdakordimeve, Presidenti Macron anuloi në tetor takimin e dy qeverive. Veç kësaj ai vendosi ta bëjë publike pakënaqësinë me Gjermaninë. Në Bruksel (20.10.) ai deklaroi se Gjermania është e izoluar në Evropë. Por faktet flasin të kundërtën.

Gjermania me më shumë mbështetës se Franca për çështje qendrore

Për sa i përket fondit prej 200 miliardë eurosh, që Gjermania ia vë në dispozicion, po t’i duhen si subvencionim ekonomisë gjermane, Franca ka bërë të njëjtën gjë: ajo ka ofruar një fond 170 miliardë eurosh për ekonominë franceze dhe ka vendosur tavan çmimesh me një politikë tarifash në Francë. Këtë tani duket se po e kuptojnë, më në fund, edhe në Paris.

Përsa i përket bashkëpunimit ushtarak: Gjermaninë e ndoqën pas 14 shtete evropiane, të cilave Gjermania u ka ofruar mbrojtje kundërajrore. Kurse Franca ka vetëm një shtet, Italinë, me të cilën ka një marrëveshje për mbrojtjen kundërajrore tokë-ajër. Pra e izoluar nuk është Gjermania.

Ndërsa zgjerimin me shtete të reja të BE, sidomos në Lindje, e mbështet një shumicë në BE.

“Gjermania kritikohet nga Franca thuajse për çdo gjë që bën”

Kritika e fundit franceze për Berlinin u prit disi me habi edhe në mediat franceze. Disa analistë pyetën se a duhet të presë Berlini nga Parisi kritika për çdo gjë që bën? Kjo kur Gjermania u përball me probleme ekzistenciale, si sigurimi i furnizimit me gaz pas shkëputjes nga furnizimi rus, si dhe përkufizimi i një roli të ri të saj ushtarak në Evropë.

Disa komentatorë francezë kanë shtruar madje pyetjen a kemi të bëjmë thjesht me xhelozi të Parisit për Berlinin. Nëse nuk është e tillë, në rastin më të mirë kritika e Macronit për Berlinin është një thirrje për të treguar vëmendje më të madhe ndaj Parisit. Këtu komunikimi nga Berlini ka hapësirë për t’u zhvilluar.

Kërkesë e hershme në Francë: Parisi të braktisë lidhjen me Gjermaninë

Disa politikanë e analistë francezë i kërkojnë prej vitesh Parisit të mos fiksohet te Berlini. Çifti franko-gjerman sipas tyre në fakt nuk ekziston, pasi Gjermania nuk e dëshiron atë.

Përveç ndonjë mirëkuptimi emocional për autorët, kërkesa që Parisi të lidhet më fort me partnerë të tjerë në vend të Berlinit është, në thelb, jorealiste dhe madje naive.

Gjermania është sot fuqia kryesore gjeopolitike e Evropës. Ajo është gjithashtu ekonomia më e madhe e Evropës. Franca bashkëpunon me arsye me Gjermaninë. Përpjekjet e Parisit për partneritet intensiv me Italinë, për shembull, ndonëse janë nisur me entuziazëm, nuk kanë pasur sukses afatgjatë.

Përkundrazi, në të vërtetë është Franca, që sidomos pas ribashkimit të Gjermanisë është druajtur se Gjermania mund ta braktisë Francën për Lindjen. Se Gjermania mund të kthehet nga Lindja, me zhvendosjen e pikërendesës së BE drejt Lindjes.

Por kjo nuk ka gjasa të ndodhë. Lindja është e rëndësishme për Gjermaninë në radhë të parë si treg dhe sot veçanërisht për arsye sigurie.

Tensionet aktuale të Parisit me Berlinin flasin më tepër për vështirësitë e Parisit për të pranuar një Gjermani që tani kërkon të veprojë në përputhje me kapacitetet e saj. Roli drejtues i Gjermanisë kërkohet gjithnjë e më shumë në Evropë e botë. Gjermania po demonstron tani vullnet që ta luajë dukshëm këtë rol. Kjo vlen edhe për aspektin ushtarak, ku Gjermania ka deklaruar se do të bëhet fuqia drejtuese ushtarake e Evropës.

Berlinit dhe Parisit u është dashur gjithmonë kohë të koordinohen

Duhet kujtuar se bashkëpunimi mes Berlinit dhe Parisit asnjëherë nuk është intensifikuar menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare. Midis kancelarit Schröder e presidentit Chirak për afrim u deshën madje katër vjet, midis kancelares Merkel me presidentët Hollande, Sarkozy dhe Macron kaloi gjithashtu mjaft kohë deri në intonim.

Kurse qeveria aktuale gjermane nuk ka mbushur vitin në pushtet. Një rol në ritmin e afrimit luajnë edhe personalitetet e drejtuesve: presidenti Macron flet shumë e shprehet thuajse për gjithçka, kancelari Scholz është më i rezervuar e i heshtur.

Situata aktuale gjeopolitike, lufta në Ukrainë e në Evropë, ushtron megjithatë te të dyja palët presion për mirëkuptim. Pa dakordimin Berlin-Paris asgjë e rëndësishme nuk ndodh në Evropë.

Prandaj po punohet me energji të madhe që takimi i anuluar midis dy qeverive, të mbahet në 22 janar. Në këtë datë simbolike mbushen 60 vjet nga nënshkrimi i Traktatit të Elizesë. Vetëm 18 vjet pas Luftës së Dytë Botërore ky Traktat u bë marrëveshja e madhe e pajtimit mes armiqve të betuar, Francë dhe Gjermani. Deri në 22 janar synohet të jenë sqaruar mosmarrëveshjet për energjinë dhe për mbrojtjen.

Tri muaj për kapërcimin e dallimeve madhore

Kryeministrja franceze Elisabeth Borne dhe kancelari gjerman Olaf Scholz nënshkruan të premten (25.11.) një deklaratë të përbashkët për solidaritet energjetik. Furnizimi i Francës me energji elektrike do të përmirësohet edhe më tej me dërgesa nga Gjermania. Franca nga ana e saj e ka furnizuar me gaz Gjermaninë prej mesit të tetorit.

Për aspektin ushtarak, është arritur tashmë një marrëveshje politike. Ajo ka të bëjë me nisjen e fazës tjetër të zhvillimit të avionit gjuajtës të “brezit të gjashtë”. Kjo do të thotë se është vendosur të ndërtohet një avion demonstrues, me rëndësi vendimtare për projektin SCAF “Sistemin luftarak ajror të së ardhmes”. Por marrëveshja mes industrialistëve, Dassault Aviation për Francën dhe Airbus për Gjermaninë, ende pritet të arrihet, me gjasa së shpejti.

Gjithashtu, të martën Ministri i Ekonomisë i Gjermanisë, Habeck dhe homologu francez, Bruno Le Maire ranë dakord të rrisin bashkëpunimin në teknologji me rëndësi strategjike.

Si p.sh. në teknologjinë e hidrogjenit, në prodhimin e qelizave të baterive, dhe në industrinë e shëndetit. Si dhe për një platformë të re evropiane për teknologjitë transformuese. Ministrat folën për një “hap të parë drejt një partneriteti të ri franko-gjerman””për të avancuar politikën industriale evropiane”./DW

 

Fraksion.com