Tregtia e armëve lulëzon ndërsa Evropa Lindore armatos Ukrainën
Industria e armëve në Evropën Lindore po prodhon armë, predha artilerie dhe furnizime të tjera ushtarake me një ritëm që nuk është parë që nga Lufta e Ftohtë, ndërsa qeveritë në rajon udhëheqin përpjekjet për të ndihmuar Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë.
Lufta në Ukrainë ka ndikuar kryesisht për të keq në ekonominë e Evropës. Por, një sektor po lulëzon në heshtje.
Prodhuesit e armëve në Evropën Lindore po prodhojnë armë dhe municione me një ritëm të paparë që nga Lufta e Ftohtë.
Shumë qeveri në rajon ndonëse të kujdesshme ndaj udhëheqësit të tyre të vjetër sovjetik, Rusisë, janë të etur për të ndihmuar Kievin që t’iu rezistojë forcave ruse.
Kompanitë e armëve po shfrytëzojnë mundësinë që iu është ofruar nga lufta.
Firma shtetërore polake “PGZ” prodhon gjithçka, nga dronët tek automjetet e blinduara.
Shefi i saj, Sebastian Chwalek thotë se pothuajse janë dyfishuar planet e tij të investimeve gjatë dekadës së ardhshme:
“Ne jemi duke u zhvilluar, duke zgjeruar aftësitë tona. Ne po përgatitemi për dërgesa të shtuara jo vetëm në tregun polak, dhe jemi të vetëdijshëm për këtë. Kemi shumë diskutime me klientë potencialë nga vendet e treta që dëshirojnë të pajisin ushtritë e tyre me armatime polake”, tha zoti Chwalek.
“PGZ-ja” thotë se ka dorëzuar të gjitha llojet e pajisjeve në Ukrainë, duke përfshirë mortaja, armë të vogla dhe municione.
Ajo pret që të ardhurat e vitit 2022 të tejkalojnë objektivin e paraluftës prej gati 1.5 miliardë dollarësh.
Një histori e ngjashme po ndodh edhe në Republikën Çeke.
Vendi ka furnizuar Ukrainën me armë në vlerë prej 2.1 miliardë dollarëve ndërsa eksportet e armëve janë duke arritur nivelin më të lartë që nga viti 1989.
Kështu thotë zëvendësministri i Mbrojtjes, Tomas Kopecny.
“Për industrinë çeke të mbrojtjes, konflikti në Ukrainë dhe ndihma që industria u ofron forcave të tyre, është qartësisht një shtysë që nuk e kemi parë në 30 vitet e fundit. Nuk është vetëm se ky vit do të jetë një rekord absolut në eksportin e materialit ushtarak, por ka të bëjë edhe me cilësinë”, tha ministri Kopecny.
Industria e armëve në Evropën Lindore lulëzoi fillimisht nën komunizëm, duke prodhuar armë për bllokun sovjetik.
Lufta në Ukrainë ka bërë që këto fabrika të rrisin punën sërish, por kësaj radhe jo më në shërbim të Kremlinit./VOA
Fraksion.com