AktualitetEkonomiPolitikëTë fundit

Balluku: Porti i ri në Porto Romano, investim prej 390 milionë euro

Zv.kryeministrja, njëherazi ministre e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku tha se “Durrësi dhe Shqipëria nuk do të mbeten pa port, pasi përpara se të niste projekti i Ballinës dhe Marinës në portin e Durrësit, ne kemi nisur një studim për volumet dhe kapacitetet në perspektivë të zhvillimit të portit të Durrësit”.

Duke marrë fjalën sot në seancën e Kuvendit, Balluku iu përgjigj pyetjeve të deputetëve të opozitës për detaje të projektit, por edhe akuzave të tyre.

“Portit të Durrësit i ka ardhur koha të largohet për tri arsye: për shkak të mungesës së akomodimit të volumeve, të ndotjes ambientale dhe kaosit infrastrukturor nga trafiku i rënduar dhe zhurma akustike. Në këto kushte kemi nisur një garë ndërkombëtare ku morën pjesë shumë kompani të huaja dhe vetëm 5 prej tyre kaluan fazën e parë dhe në shtator shpallet fituese “Royal Hackoning”, e cila menjëherë nisi nga puna për studimin e fizibilitetit për ndërtimin e portit të ri të Durrësit në Porto Romano, që është një zonë industriale e destinuar për t’u zhvilluar”.

“Vetëm 4 km larg bregut të Porto Romanos ndodhen 60 ha të destinuar për zonë ekonomike të lirë. Kemi nisur nga puna dhe sot kemi një projekt të detajuar nga Royal që synon ndërtimin e një porti logjistik që do t’i përgjigjet edhe nevojave të portit të Kosovës përmes ndërtimit të një porti të Thatë në Prishtinë që do të lidhet me linjë hekurudhore Durrës-Prishtinë, për të cilën kemi nisur studimin e fizibilitetit me financa nga të dy qeveritë dhe vetëm një javë më parë kemi vendosur ngritjen e një porti të thatë edhe në Maqedoninë e Veriut, në Strugë”, tha ajo.

Sipas saj, Porto Romano është një projekt që do t’i shërbejë Ballkanit Perendimor, është një projekt që nuk ka lidhje me portin e jahteve. “Ndaj i lutem opozitës që të mos e mohojë faktin që këtu do të ndërtohet një port modern”, theksoi Balluku.

Balluku tha se ndërtimi i portit të ri në Porto Romano do të kushtojë 390 milionë euro, financim me mbështetjen edhe të buxhetit të shtetit.

“Ky projekt do të bëhet, pasi nuk mund të investojmë më në zemër të qytetit të Durrësit, por do të ngrihet në atë zonë industriale ku ka hapësirë për zhvillimin e zonës së lirë ekonomike, aty ku do të kalojë hekurudha që e lidh me Prishtinën dhe Korridorin 8 që e lidh me Maqedoninë e Veriut”, deklaroi ajo.

 

Fraksion.com