Situata në Lezhë: Rrugë të pakalueshme dhe shtëpi të përmbytura, hidrovoret në kuota kritike
Reshjet e shiut vazhdojnë me intensitet të lartë dhe pa ndërprerje në qarkun e Lezhës, duke penguar përmirësimin e situatës së përmbytjeve.
Në njësinë administrative Dajç, bashkia Lezhë, vijon të jetë e njëjtë si pasojë e rreshjeve të rëna gjatë 24 orëve.
500 hektarë sipërfaqe toke vazhdon të jetë e përmbytur në fshatin Torovicë, njësia administrative Balldre, 800ha në njësinë administrative Dajç dhe Blinisht, bashkia Lezhë.
Në fshatin Kakarriq ka prezencë uji në 4 banesa, edhe pse niveli po vazhdon të ulet.
Rruga që lidh fshatin Blinisht-Superstradë (Lezhë-Shkodër) vazhdon të jetë e pakalueshme si rezultat i prezencës së ujit në trupin e rrugës, ndërsa rruga që lidh fshatin Blinisht-Baqel është e kalueshme plotësisht.
Niveli i ujit në rrugën e fshatit Piraj është rritur dhe për pasojë ky aks është i pakalueshëm nga mjetet e vogla.
Rruga që lidh fshatin Torovice me fshatin Malecaj, njësia Administrative Balldren, është e pakalueshme për mjetet e vogla.
Hidrovoret po punojnë me kapacitet të plotë dhe pa ndërprerje. Konkretisht Droje, Shllinza, Tale, Ishull Shëngjin, Grykë Zezë, Gocaj nivelet e ujit janë nën kuota kritike dhe hidrovori Balldre rreth -1.2 m.
Lumi Drin është në kuotën +1.40 m nga +2.0 m kuotë kritike. Lumi Gjader ka kuota të larta, ndërsa lumi Mat ka rritje të kuotave, por të papërfillshme.
Fraksion.com