AktualitetPolitikëTë fundit

Rama në zonat problematike në Shkodër: Situata nuk ka krahasim me 2010-ën

Kryeministri Edi Rama inspektoi sot situatën në zonat problematike në Shkodër.

I shoqëruar nga ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali dhe prefektja e qarkut të Shkodrës, Majlinda Angoni, Kryeministri Rama pa nga afër situatën tek Harku i Bërdicës.

“Krahasuar me 2010 është një situatë e paimagjinueshme. Nga 12 mijë banorë të evakuuar atëherë, sot vetëm 22, nga 2800 banesa të përmbytura sot asnjë shtëpi e mbuluar nga uji, nga 14 mijë hektarë të përmbytur sot vetëm 1 mijë e 300 hektarë, të gjitha këto sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga vetë bashkia Shkodër”, tha Rama në një postim në rrjetet sociale.

Ndërsa gjatë vizitës në Shkodër, kryeministri Rama tha se “sipas informacioneve do të ketë reshje sërish natën dhe do jetë prapë pak problem. Ajo që është për të vënë duart në kokë është shtrembërimi që i bëhet situatës në kanale, portale, një tërbim të padijes dhe ligësisë që këtu është bërë një qamet i madh”.

Kreu i qeverisë u shpreh se “mos harrojmë se në të gjitha zonat e tjera kemi një sjellje komplet tjetër të sistem të kanalizimeve, kullimit, këtu është bërë çfarë është nga strukturat qendrore, nga ajo vendore kemi pasur problem, nuk dua të fajësoj njeri e të tregoj gishtin njeriu, por të thuash që kjo erdhi si rezultat se u bë qameti nga kasakada, ky është një skandal”.

“Është bërë çmos nga specialistët që të mos mbivendoset shkarkimi me prurjet natyrore e të rrinë gjithmonë në nivele të balancuara, njerëzit mund ta bëjnë vetë diferencën”, tha Rama.

Kryeministri Rama theksoi se të gjitha strukturat e shtetit janë të pranishme në zonat problematike.

Ministrja Spiropali tha se “nuk ka krahasim me vitin 2010. Opozita e ka kthyer të vërtetën përmbys, sidomos ai (Berisha) që erdhi dje të vizitonte bashkinë e Shkodrës, që në vend që të kërkonte falje për atë që bëri në 2010, erdhi të helmonte ujërat e Shkodrës”.

Prefektja Angoni tha se Berisha dezinformoi duke thënë se këtu nuk kemi forcat e repartit ushtarak. “Këtu kanë qenë të pranishme të gjitha strukturat dhe mjetet e ushtrisë”, shtoi ajo.

Sipas saj, 22 familje janë evakuuar, niveli i ujit ka rënë edhe HEC kanë krijuar rezervat e veta.

 

 

 

Fraksion.com