AktualitetPolitikëTë fundit

Rama në Lezhë: Perimetri i tokave nën ujë i zvogëluar si asnjëherë më parë

Kryeministri Edi Rama vizitoi sot qytetin e Lezhës në zonat problematike nga reshjet e shiut.

I shoqëruar nga kryetari i bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, Rama pa nga afër situatën, ndërsa theksoi se falë punës pa pushim të kryetarit të bashkisë dhe mbështetjes së pakursyer të Ministrisë së Bujqësisë, me gjithë dendësinë e madhe të reshjeve, perimetri i tokave nën ujë është zvogëluar si asnjëherë më parë.

Kryeministri Rama u shpreh se “nuk ka prani uji në asnjë shtëpi dhe nuk ka arritur as 50 numri i familjeve që kanë pasur nevojë për ndihmë dhe e kanë marrë menjëherë nga bashkia”.

Kreu i qeverisë u shpreh se “mbetet objektivisht përherë problem gjithsesi kur fryrja e Drinit nuk e lejon përthithjen e ujërave nga Gjadri dhe uji tërhiqet me vështirësi nga kjo zonë nën kuotë pranë Torovicës”.

“Si vendosen kamerat në mënyrë të qëllimshme dhe si lëshohen gojët në mënyrë të qëllimshme po ta shikosh nga pasqyrat mediatike duket sikur po bëhet qameti. Është situatë e vështirë në pika të caktuara për arsye objektive”, theksoi Rama.

Kryeministri falënderoi kryetarin e bashkisë Ndreu për punën e bërë në rehabilitimin e kanaleve kulluese.

“Falë punës tuaj me kanalet kulluese uji tërhiqet menjëherë sapo bie intensiteti i reshjeve”, tha Rama.

Kryetari i bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu tha se janë rehabilituar 400 km kanale kulluese.

Ndreu informoi lidhur me situatën e deritanishme, e cila është përballuar më së miri edhe falë investimeve për forcimin e argjinaturave mbrojtëse. Ndërkohë që mbetet objektivisht përherë problem, kur fryrja e Drinit nuk e lejon përthithjen e ujërave nga Gjadri dhe uji tërhiqet me vështirësi nga kjo zonë nën kuotë, pranë Torovicës.

“Pika më problematike që kemi ne është Gjadri. Dje niveli ka qenë shumë i lartë duke qenë se ka qenë 50 centimetra mbi urë. Sot në mëngjes ra. Ka një ngritje tani për shkak të reshjeve. Është një urë e vjetër, e cila ka problematikat e veta. Ne e kemi përballuar me forcat e bashkisë të gjithë situatën. Argjinaturën e Gjadrit e kemi forcuar. Brenda banesave këtu, uji nuk ka hyrë, por ama, ka rrethuar banesën, oborrin dhe ne kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm me ta. Gjithsesi, mbeten toka me risk të lartë. Ne jemi munduar ta izolojmë sa të mundemi me atë që ne mund të bëjmë dhe me atë që ka bërë Ministria e Bujqësisë. Kjo zonë nuk varet nga hidrovori i Drinit, kjo varet nga Gjadri”, informoi Ndreu, teksa theksoi se “dëmi më i madh që i është bërë këtij vendi është urbanizimi kaotik që është bërë, duke i lejuar njerëzit të ndërtojnë mbi kanale”.

Kryeministri Rama takoi edhe disa banorë të zonës me të cilët bisedoi për situatën nga reshjet.

“Kryetari i bashkisë, Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Bujqësisë po bëjnë çmos, por kur Drini fryhet edhe e shtyn Gjadrin s’ke çfarë bën. Shtëpitë i kemi bërë pak në gropë, pa mendje. Sistemi i kullimit ka funksionuar shumë mirë”, thanë banorët.

Banorët u shprehën se “kanalet kulluese janë pastruar dhe këtë vit niveli i ujit ra shpejt”.

Gjatë ditës së sotme Kryeministri Rama inspektoi edhe zonat problematike në Durrës dhe Shkodër.

 

Fraksion.com