AktualitetPolitikëTë fundit

Përmbytjet në Shkodër, Alibeaj: Qeveria të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, ka kërkuar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në territoret e përmbytura të Shkodrës.

Në një konferencë me një grup deputetësh nga Kryesia e Kuvendit, Alibeaj shpjegoi edhe nga ana ligjore arsyet se për se duhet të shpallet “gjendja e fatkeqësisë natyrore”.

Ai tha se arsyeja më e rëndësishme se për se duhet të shpallet gjendja e emergjencës është edhe për dëmshpërblimin financiar të të prekurve.

“Situata e reshjeve të ditëve të fundit ka shkaktuar problematika të rënda në zona të ndryshme të qarqeve Shkodër, Lezhë dhe Durrës. Si pasojë e përmbytjeve janë dëmtuar arat me të mbjella, bagëtitë, shtëpitë e qytetarëve, pasuri të trashëgimisë kulturore, si rasti i Urës së Bahçallëkut në Shkodër. Por, ajo që e bën më të rëndë situatën është dëmtimi i shëndetit dhe jetës së qytetarëve, siç ishte rasti i tragjik i humbjes së jetës së dy qytetarëve, babë e bir, në Malësinë e Madhe”, tha Alibeaj.

“Nisur nga ky bilanc tragjik për shëndetin, jetën, pronat dhe pasuritë e qytetarëve të këtyre zonave, ne vlerësojmë se përmbushen kriteret kushtetuese dhe ligjore për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore. Konkretisht, neni 174 i Kushtetutës përcakton se “Për parandalimin ose mënjanimin e pasojave të një fatkeqësie natyrore ose aksidenti teknologjik, Këshilli i Ministrave mund të vendosë, për një periudhë jo më të gjatë se 30 ditë, gjendjen e fatkeqësisë natyrore, në një pjesë ose në të gjithë territorin e shtetit.”. Kushtetuta nuk përmban ndonjë përkufizim për situatën e fatkeqësisë natyrore, por ai jepet në nenin 3, pika 9 të ligjit nr. 45/2019 “Për mbrojtjen civile”. Kjo dispozitë përcakton se fatkeqësitë natyrore janë fatkeqësitë që shkaktohen nga dukuri natyrore ekstreme, që lidhen me tërmetet, përmbytjet dhe vërshimet e ujit, temperaturat ekstreme dhe të tejzgjatura, rrëshqitjet artitektonike, ortekët, erërat e forta në tokë dhe det etj”, tha Alibeaj.

 

Fraksion.com