“Garantim i sigurisë”; Komandanti i KFOR-it diskuton me Sveçlën për situatën në Kosovë
Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjenerali Angelo Michele Ristuccia, është takuar në mbrëmjen e së hënës me ministrin e Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla, për të diskutuar situatën aktuale në Kosovë dhe tensionet e krijuara për shkak të mosarritjes së marrëveshjes mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiqit në Bruksel për çështjen e targave.
“Komandanti u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të shmangin çfarëdo veprimi që mund të çojë në përkeqësim të situatës. Ai u ka bërë thirrje palëve që të veprojnë me përgjegjësi dhe të ketë rol aktiv në garantim të sigurisë”.
Në deklaratën e KFOR-it është thënë se gjenerali Ristuccia vazhdon të jetë në kontakt të ngushtë me të gjithë ndërmjetësuesit, përfshirë komandantin e misionit të BE-së për sundim të ligjit në Kosovë (EULEX), me përfaqësues të autoriteteve në Kosovë dhe atyre në Serbi.
Edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë më 21 nëntor se KFOR-i vazhdon të jetë vigjilent.
“Tani është koha për përgjegjësi dhe zgjidhje pragmatike. Përshkallëzimi duhet të shmanget”, ka thënë Stoltenberg përmes një postimi në Twitter, pas bisedës që ka zhvilluar me kryediplomatin e Bashkimit Evropian, Josep Borell.
Kryeministri Kurti ka thënë se propozimi i Bashkimit Evropian për çështjen e targave ilegale serbe ka qenë i papranueshëm dhe se ndërmjetësuesit e Bashkimit Evropian “kanë hequr dorë” nga propozimi i tyre për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas tij, propozimi i BE-së, që Kosova të mos fillojë me shqiptimin e gjobave, dhe që Serbia të mos lëshojë targa të reja për serbët e Kosovës, është i papranueshëm “nëse nuk shoqërohet me dakordimin që me urgjencë të angazhohemi për marrëveshje finale për normalizim të marrëdhënieve”.
“Pas shumë orë diskutimesh, dy palët nuk u pajtuan për zgjidhjen sot”, ka thënë Borrell, duke shtuar se një gjë e tillë lë “vakum shumë të rrezikshëm sigurie në një situatë tashmë të brishtë”.
“Për hir të transparencës, ne parashtruam një propozim që mund ta shmangte këtë situatë të rrezikshme. Presidenti Vuçiq e pranoi, por për fat të keq kryeministri Kurti nuk e pranoi”, ka thënë Borrell për gazetarët.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë pas takimit se pala serbe do t’i respektojë “këshillat dhe kërkesat” e kryediplomatit evropian, Borrell, i cili ndërmjetësoi bisedimet.
Policia e Kosovës ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se në paraditen e 22 nëntorit, përkatësisht pas orës 08:00, do të fillojë shqiptimin e gjobave për qytetarët që kanë makina me ato që autoritetet në Kosovë i konsiderojnë targa ilegale serbe.
Shqiptimi i gjobës është pjesë e vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targave ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës.
Faza e parë ka paraparë qortimin, e dyta parasheh gjobën dhe më vonë parashihet të vendosen disa targa provuese.
Sipas vendimit të Qeverisë, pas 21 prillit, në Kosovë nuk duhet të ketë më makina me targa të tilla që lëshojnë autoritetet serbe.
Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.
Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”.
Fraksion.com