AktualitetKosovaTë fundit

Digjet një veturë me targa të Serbisë në veri

Një veturë me targa të Serbisë është djegur të hënën pas mesnate në veri të Mitrovicës

Kështu tha për Radion Evropa e Lirë, drejtor i Policisë për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Besim Hoti.

“Ngjarja ka ndodhur në orën 02:05 të mëngjesit”, tha ai.

Hoti shtoi se janë duke u zhvilluar hetime lidhur me rastin.

Më herët, në veri të Kosovës janë djegur edhe vetura me targa RKS, në pronësi të qytetarëve serbë që jetojnë atje.

Aktualisht, autoritetet e Kosovës janë duke zbatuar një plan tre fazësh përmes të cilit inkurajohen qytetarët në katër komunat veriore të vendit, që të riregjistrojnë veturat e tyre në targa RKS.

Faza e parë ka paraparë qortimin, e dyta parasheh gjobën dhe më vonë parashihet të vendosen disa targa provuese.

Zbatimi i fazës së dytë, që parasheh shqiptimin e gjobave prej 150 eurosh për qytetarët që qarkullojnë me targa të tilla, është shtyrë për 48 orë.

Para shtyrjes së vendimit, Policia e Kosovës pati planifikuar që vendimin për gjobat ta zbatonte nga mëngjesi i 22 nëntorit.

Kërkesën për shtyrje 48-orëshe e kanë bërë Shtetet e Bashkuara.

Serbia – e cila lëshon targa të paligjshme për serbët e Kosovës që nga paslufta më 1999, e kundërshton këtë plan – duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.

Si pasojë e tensioneve të ngritura, serbët e veriut të Kosovës – ku qarkullojnë kryesisht makinat me targa të paligjshme – kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.

Ata, po ashtu, kanë paralajmëruar se do të kundërshtojnë shqiptimin e gjobave nga autoritetet e Kosovës.

 

Fraksion.com