Blinken kritikon FIFA-n
Kryediplomati amerikan Antony Blinken kritikoi të martën një vendim të Federatës Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA-s) për të kërcënuar me kartonë të verdhë ata futbollistë që vendosin në krahë shirita në mbështetje të gjithëpërfshirjes dhe kundër diskriminimit, gjatë ndeshjeve në kuadër të Kupës së Botës.
Në një konferencë shtypi së bashku me homologun e tij të Katarit, sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se kufizimet në lirinë e shprehjes përbëjnë gjithmonë shqetësim.
Në një fushë futbolli tha ai, askush nuk duhet të detyrohet të zgjedhë mes mbështetjes së këtyre vlerave dhe lojës për ekipin që përfaqësojnë.
FIFA nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment lidhur me deklarata e zotit Blinken.
Të hënën disa orë përpara se lojtarët e parë të dilnin në fushë me shirita në krahë në mbështetje të fushatës “One Love”, një fushatë në mbështetje të komunitetit LGBT, FIFA paralajmëroi se do t’i ndëshkonte ata me kartona të verdhë.
Të hënën asnjë lojtar nuk mbante shirita të tillë, megjithëse shtatë ekipe evropiane kishin njoftuar se kishin në plan ta bënin këtë gjë. Falë një kompromisi të arritur paraprakisht me FIFA-n, futbollisti anglez Harry Kane, mbajti gjatë ndeshjes me Iranin një shirit ku shkruhej “No discrimination”, “Jo diskriminimit”.
Zoti Blinken mbërriti në Katar të hënën, ku vizitoi një program futbolli për të rinjtë të lidhur me Kupën e Botës. Ai më vonë ndoqi ndeshjen mes SHBA-së dhe Uellsit.
Ndërsa kritikoi hapur FIFA-n, zoti Blinken ruajti një ton më të matur ndaj Katarit. Vendi i pasur me naftë në Lindjen e Mesme është kritikuar përpara turneut për trajtimin e punëtorëve migrantë si dhe ndjekjen penale të përfaqësuesve të komunitetit LGBT.
Fraksion.com