Tokayev rizgjedhet president i Kazakistanit
Kassym-Jomart Tokayev është rizgjedhur president i Kazakistanit, shtetit më të madh të Azisë Qendrore.
69-vjeçari, i cili erdhi në pushtet në vitin 2019, mori 81.31 për qind të votave.
Rezultati ishte i pritshëm, pasi pesë kundërshtarët e Tokayevit ishin pak të njohur për publikun. Asnjëri prej tyre nuk shënoi mbështetje dyshifrore në votim, ndërsa 5.8 për qind e votuesve votuan kundër të gjithë kandidatëve.
Komisioni zgjedhor tha se në zgjedhjet e së dieles kanë marrë pjesë rreth 70 për qind e qytetarëve, prej 12 milionë votuesve me të drejtë vote.
“Njerëzit kanë shprehur qartë besimin e tyre tek unë dhe ne duhet ta arsyetojmë atë”, tha Tokayev pas shpalljes së rezultateve.
Kazakistani u zhyt në kaos gjatë protestave në janar të këtij viti, prej të cilave mbetën të vdekur 238 persona.
Tokayev, i cili drejtonte vendin edhe në atë kohë, shtypi me dhunë këto protesta.
Ai e kishte përshkruar dhunën vdekjeprurëse të janarit si tentim për puç.
Protestat e nxitura nga rritja e çmimeve të naftës, ishin shndërruar në trazirat më të këqija që ka parë ky shtet në 30 vjet të pavarësisë.
Fraksion.com