Përmbytet Shkodra, situatë e jashtëzakonshme: 2 viktima, mijëra hektarë tokë dhe 590 banesa të përmbytura
2405 hektarë tokë dhe 590 banesa janë përmbytur në Shkodër gjatë natës së kaluar, për shkak reshjeve të dendura të shiut dhe shkarkimeve të hidrocentraleve.
Autoritetet njoftojnë se hidrometri i Liqenit të Shkodrës në orën 08.00,shënoi kuotën 7.58 m, ndërsa hidrometri i lumit Drin shënoi kuotën 7.60m, nga 7.50 m që është maksimumi.
Në njësinë administrative Ana e Malit, sipërfaqja e tokës bujqësore e përmbytur vlerësohet në 1000 Ha, kryesisht në fshatrat Obot, Muriqan,Oblikë Rruga e Obotit – Niveli i ujit mbi rrugë arrin rreth 70cm. Ujësjellësi Oblika 1,si pasojë e përmbytjeve është jashtë funksionit
Në njësinë administrative Dajç, sipërfaqja e tokës bujqësore e përmbytur vlerësohet në 120 Ha, kryesisht në fshatrat Mushan, Shirq, Pentar. Rruga që lidh fshatrat Pentar- Ças ka presence uji ( nuk kalohet me mjete te ulëta). Bun ka depërtuar në Urrelat e Shirqit
Në njësinë administrative Velipojë, sipërfaqja e tokës bujqësore e përmbytur vlerësohet në 165 Ha.kryesisht fshatrat Baks, Luarz. Ças.
Në njësinë administrative Guri i Zi, sipërfaqja e tokës bujqësore e përmbytur vlerësohet në 500 Ha, kryesisht në fshatrat Kuç dhe Rrenc.
Në njësinë administrative Bërdicë, sipërfaqja e tokës bujqësore e përmbytur vlerësohet në 600 Ha, konkretesht në fshtrat Trush,Berdicë e Siperme.
Janë 32 familje të evakuara, gjithsej 139 persona, kryesisht nga Njësitë Administrative, Gur i Zi, Bërdicë, Lagja Nr.4, Lagja nr. 1.
Të akomoduar në konvikt 2 familje ( 7 persona), ndërsa pjesa tjetër tek të afërmit . Shtëpi me prezencë uji në oborre dhe ne brendësi të banesave gjithsej 590 banesa; Guri I Zi 250 banesa; Bërdicë 210 banesa prej tyre 40 biznese; Lagja Nr.4, 30 banesa; Lagja nr. 1, 100 banesa.
Situata në vend
10:15 Durrës/ Del nga shtrati lumi i Gjoles, përmbyten sipërfaqe të tëra tokë bujqësore
Gjatë natës së kaluar, lumi i Gjoles ka dalë nga shtrati duke shkaktuar përmbytje të sipërfaqeve të tëra toke bujqësore në Bubq të Krujës. Situata paraqitet më problematike në fshatin Murqinë dhe Mallkuç ku niveli i ujit në arat e mbjella arrin deri në 45-50 cm. Të rrethuara nga uji janë dhe disa banesa. Vetëm në fshatin Murqinë të njësisë administrative Bubq ka rreth 150 hektarë të përmbytur nga lumi i Gjoles.
10:13 Del nga shtrati lumi Gjadër në Lezhë, uji vërshon drejt banesave dhe bllokohen 15 familje
Një situatë problematike paraqitet në Lezhë për shkak të reshjeve të dendura të shiut që ranë gjatë natës së kaluar. Lumi Gjadër ka dalë nga shtrati duke vërshuar mbi zonat e banuara dhe duke përmbytur qindra hektarë tokë. Sikurse duket edhe në pamje, uji ka shkuar pranë banesave, duke bllokuar rreth 15 familje. Si pasojë e vërshimit të ujit është bllokuar edhe rruga Gjadër- Zojz.
10:02 Bora zbardh Vermoshin dhe Thethin. Moti i keq ndërpret qarkullimin në aksin Shkodër-Lezhë
Kanë vijuar me intensitet të lartë reshjet e shiut në të gjithë vendin gjatë natës së kaluar, ndërsa dëbora ka zbardhur disa zona në veri të vendit. Autoriteti Rrugor Shqiptar njofton se në aksin Tamarë-Vermosh dhe Qafë Thore-Theth ka pasur reshje dëbore, po punohet për pastrimin. Po ashtu, për shkak të motit të keq është bllokuar aksi Shkodër-Lezhë në pikën Harku i Bedicës, ku devijimi i makinave bëhet në rrugën e Gurit të Zi dhe në Dedaj-Bogë vazhdon devijimi për në rrugën alternative.
09:43 Reshje të vazhdueshme shiu që nga dita e djeshme, situatë pa probleme në Elbasan
Reshjet e shiut në qarkun e Elbasanit kanë vijuar që prej ditës së djeshme, ndërsa deri më tani nuk janë raportuar problematika.Sipas institucioneve vendore atje, ditën e djeshme kanë rënë 30 mm shi dhe në orët e para të mengjesit të sotëm ka pasur 13 mm shi. Akset rrugore nacionale e rurale janë të gjitha të hapura. Ka pasur prani inertesh në sasi të vogël në aksin rrugor Elbasan-Gjinar dhe Gramsh-Moglicë të cilat janë pastruar nga firmat kontraktuese. Në një nivel jo shumë të lartë janë prurjet në përrenjtë e qarkut dhe lumin Shkumbin e Devoll. Furnizimi me energji elektrike është i plotë me përjashtim të 2 fidrave në bashkinë Belsh, 1 fidri në njësinë administrative Tregan të bashkisë Elbasan dhe 1 fidër në Klos të bashkisë së Cërrikut. Strukturat e emergjencave civile të bashkive janë në monitorim të vazhdueshëm të situatës.
09:08 Reshjet/ I pakalueshëm Harku i Bërdicës, si paraqitet situata nga përmbytjet në qarkun e Shkodrës
Reshjet e dendura të shiut që vijuan përgjatë natës kanë shkaktuar përmbytje të mëdha në qarkun e Shkodrës. Kështu është ndërprerë qarkullimi në aksin Shkodër-Tiranë te Harku i Berdicës, probleme janë hasur edhe në furnizimin me energji elektrike, ndërsa mësimi është ndërprerë në disa njësi administrative.
09:07 Banesa dhe qindra hektarë tokë nën ujë/ Situata e përmbytjeve në zonat e Lezhës, Kurbinit dhe Mirditës
Banesat dhe tokat në disa zona të Lezhës janë përmbytur nga shirat e dendur që përfshinë vendin tonë ditën e djeshme. Ditën e sotme ka sipërfaqe të mëdha të mbuluar me ujë si në Mabë, Piraj, Gjadër, Torovicë. Sipas të dhënave nga strukturat e MC të bashkive Lezhë, Kurbin dhe Mirditë sasia e reshjeve të rëna për 2 ditët e fundit ka qenë 212 mm. Vetëm për 24 orët e fundit nga dje në mëngjes deri tani ka rënë 82 mm shi, ndërsa Lumi Gjadër dhe Drin janë mbushur. Tërheqja në këta lumenj po bëhet shumë ngadalë, por nuk kanë dalë nga shtrati. Kuota rritjes së nivelit në lumin Drin është +1m nga +2 që është kuota kritike. Lumi Mat ka rritur prurjet, por deri më tani nuk ka pasur probleme. Sipërfaqe të përmbytura kemi në njësinë administrative Dajç dhe Blinisht rreth 700 hektarë, ndërsa në njësinë administrative Balldre rreth 500 ha. Në fshatin Gajdër të njësisë administrative Dajç të Bashkisë Lezhë, ka 15 banesa në ujë dhe ura e Zojsit është e pakalueshme. Në fshatin Zojs janë pesë banesa në ujë. Në njësinë administrative Balldre, fshati Kakarriq janë tre banesa në ujë, ndërsa në Bashkitë Mirditë dhe Kurbin nuk raportohen problematika.
08:48 Shkodër/ Rrjedha e ujit i mori përpara, gjenden trupat e pajetë të babë e bir
Trupat e pajetë të babë e bir, të cilët u rrëmbyen ditën e djeshme nga rrjedha e ujit në në Bogë të Shkodrës, janë gjetur pas disa orë kërkimesh. Ditën e djeshme përroi i “Prekë-Nicajve” në Bzhetë të Bogës ka marrë përpara fuoristradën me të cilën udhëtonin babë e bir. Në makinë ka qenë dhe vajza, por ka arritur të shpëtojë.