AktualitetPolitikëTë fundit

Peleshi nga Bërdica: Prurjet kanë rënë, shkarkimet në minimum nga kaskada e Vaut të Dejës

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi së bashku me ministren e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe drejtuese politike e PS-së për qarkun e Shkodrës, Elisa Spiropali, ishin sot tek harku i Bërdicës në Shkodër, ku bënë një inspektim të situatës së krijuar nga reshjet intensive.

Peleshi u shpreh se, në harkun e 24 orëve ka një ndryshim shumë të madh në këtë zonë.

“Ka qenë i bllokuar deri para pak momentesh kalimi në rrugën nacionale pranë harkut të Bërdicës, për shkak se prurjet e mëdha, reshjet e mëdha të ditës së djeshme e kishin përmbytur rrugën. Pastaj ky ujë rrjedh drejt fushës. Dhe sa po vijmë nga Oboti, ku ende ka sipërfaqe të konsiderueshme uji, por të gjithë e dimë tani që ajo zonë është depresive dhe kullon me shpejtësi më të vogël”, theksoi Peleshi.

Peleshi u shpreh se, “lajmi i mirë është që prurjet kanë rënë. Shkarkimet janë zvogëluar në maksimumin e mundshëm nga hidrocentrali i Vaut të Dejës. Kjo po sjell në kaskadën energjetike përmirësimin edhe të lirimit të aksit rrugor, por edhe dalëngadalë të fushave”.

“Vetëm këtu në Bërdicë gjatë mbrëmjes së djeshme, me prezencën e shtuar të personelit të FA, përforcuar nga forcat tokësore me mjete lundruese, mjete të kalueshmërisë të vështirë, mjete të larta, kemi bërë evakuimin e rreth 20 familjeve vetëm në Bërdicë. Në bashkinë e Shkodrës janë evakuuar 50 familje, pra 200 banorë, përafërsisht”, tha Peleshi.

Ministri u shpreh se, “do të vazhdojmë të jemi në gatishmëri”.

“Kemi forca të mjaftueshme. Prefektja po bashkërendon punën e të gjitha bashkive, e të gjithë pushtetit lokal. Bashkia e Shkodrës dhe gjithë bashkitë e tjera, ashtu si të gjithë bashkitë e Shqipërisë, nga buxheti i këtij viti kanë marrë një fond në total prej 10 milionë dollarësh, i ndarë sipas peshës specifike të çdo buxheti në totalin e buxhetit vendor. Pra kanë fonde të mjaftueshme dhe do të jenë besoj pranë banorëve në kohë për të përballuar nevojat që ka sjellë kjo emergjencë, qoftë furnizim me veshmbathje, me riparime të caktuara, dëmshpërblime etj.”.

Peleshi shtoi se, “fondi është i mjaftueshëm edhe për vitin që vjen”.

“Sapo kemi miratuar në parim buxhetin e vitit 2023. 10 milionë dollarë të tjera në këtë fond, pra si transfertë e kushtëzuar për emergjencat civile do t’u shpërndahet bashkive të vendit. Plus edhe pothuajse 10 milionë dollarë të tjera do të shpërndahen me projekte konkurruese për bashkitë për të investuar në infrastrukturën parandaluese të fatkeqësive natyrore. Kjo është situata pak a shumë, jemi në gatishmëri. Kemi hequr të gjitha burokracitë. Forcat tona janë në gatishmëri dhe në veprim sapo marrin një telefonatë nga pushteti vendor në koordinimin e institucionit të Prefektit”, theksoi ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi.

 

Farksion.com