Osmani kritikon Borrellin për njëanshmëri 17 minuta më herët
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova nuk do të heqë dorë asnjëherë nga qëllimi i qartë për paqe e stabilitet afatgjatë, derisa e ka kritikuar kryediplomatin e Bashkimit Evropian, Josep Borrell për njëanshmëri.
Ajo i ka bërë këto deklarata pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, nuk kanë arritur marrëveshje për çështjen e targave, në një takim urgjent të thirrur nga Bashkimi Evropian në Bruksel.
Borrell e ka hedhur përgjegjësinë sidomos te pala kosovare për mosarritje të marrëveshjes.
“Pas shumë orë diskutimesh, dy palët nuk u pajtuan për zgjidhjen sot”, ka thënë Borrell, duke shtuar se një gjë e tillë lë “vakum shumë të rrezikshëm sigurie në një situatë tashmë të brishtë”.
“Për hir të transparencës, ne parashtruam një propozim që mund ta shmangte këtë situatë të rrezikshme. Presidenti Vuçiq e pranoi, por për fat të keq kryeministri Kurti nuk e pranoi”, ka thënë Borrell për gazetarët.
Osmani ka thënë se “rregulli i parë i secilit proces ndërmjetësues është paanshmëria”.
“Ajo që pamë sot nga z. Borrell ishte njëanshmëri e shpërfaqur haptazi, akomodim i agresorit dhe prezantim i një realiteti tërësisht të shtrembëruar. Sikur Borrell t’i respektonte parimet bazike të neutralitetit, do t’ia përmendte Serbisë, së paku disa nga këto marrëveshje të shkelura të Brukselit, në vend se ta akuzonte Kosovën”, ka thënë Osmani në një postim në Facebook, duke përmendur disa marrëveshje të arritura mes dy vendeve në Bruksel.
Kryeministri Kurti ka thënë se propozimi i Bashkimit Evropian për çështjen e targave ilegale serbe ka qenë i papranueshëm dhe se ndërmjetësuesit e Bashkimit Evropian “kanë hequr dorë” nga propozimi i tyre për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas tij, propozimi i BE-së, që Kosova të mos fillojë me shqiptimin e gjobave, dhe që Serbia të mos lëshojë targa të reja për serbët e Kosovës, është i papranueshëm “nëse nuk shoqërohet me dakordimin që me urgjencë të angazhohemi për marrëveshje finale për normalizim të marrëdhënieve”.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë pas takimit se pala serbe do t’i respektojë “këshillat dhe kërkesat” e kryediplomatit evropian, Borrell, i cili ndërmjetësoi bisedimet.
NATO-ja dhe Ambasada britanike në Kosovë kanë shprehur zhgënjimin e tyre për mosarritjen e marrëveshjes për çështjen e targave.
Ndërkohë, Policia e Kosovës ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se në paraditen e 22 nëntorit, përkatësisht pas orës 08:00, do të fillojë shqiptimin e gjobave për qytetarët që kanë makina me ato që autoritetet në Kosovë i konsiderojnë targa ilegale serbe.
Shqiptimi i gjobës është pjesë e vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targave ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës.
Faza e parë ka paraparë qortimin, e dyta parasheh gjobën dhe më vonë parashihet të vendosen disa targa provuese.
Sipas vendimit të Qeverisë, pas 21 prillit, në Kosovë nuk duhet të ketë më makina me targa të tilla që lëshojnë autoritetet serbe.
Serbia – e cila lëshon targa të paligjshme për serbët e Kosovës që nga paslufta më 1999, e kundërshton këtë plan – duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.
Si pasojë e tensioneve të ngritura, serbët e veriut të Kosovës – ku qarkullojnë kryesisht makinat me targa të paligjshme – kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.
Ata, po ashtu, kanë paralajmëruar se do të kundërshtojnë shqiptimin e gjobave nga autoritetet e Kosovës.
Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.
Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”./REL
Fraksion.com