AktualitetSportTë fundit

Lojtarët e Iranit nuk kënduan himnin shtetëror në Kupën e Botës

Lojtarët e ekipit kombëtar të Iranit nuk e kënduan himnin e shtetit të tyre në ndeshjen e tyre të parë në Kampionatin Botëror të Futbollit, të mbajtur të hënën kundër Anglisë.

Ky veprim po shihet si shenjë mbështetjeje për protestat që shpërthyen javë më parë në Iran.

Lojtarët qëndruan të heshtur përderisa po intonohej himni në stadiumin Khalifa në Katar, ku tifozët iranianë, të ulur në tribuna, bërtisnin gjatë himnit.

Në Iran po vazhdojnë protestat që më shumë se dy muaj.

Këto protesta – që u nxitën nga vdekja e një vajze të re, sa ishte në mbajtje policore – po cilësohen si sfida më e madhe për klerikët fetarë të Iranit, që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979.

Gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë, televizioni shtetëror iranian i censuroi pamjet e lojtarëve të radhitur në fushë, gjatë kohës sa po intonohej himni.

Megjithatë, skuadra ka humbur shumë tifozë në Iran pasi shumë njerëz po i akuzojnë ata se po ia mbajnë anën përgjigjes së dhunshme shtetërore ndaj protestuesve, përfshirë këtu grave dhe fëmijëve, të cilët kërkojnë rënien e Republikës Islamike.

Ekipi kombëtar, që historikisht është konsideruar si krenari kombëtare, ka qenë në qendër të vëmendjes në Iran para fillimit të Kupës së Botës, pasi pritej të shihej nëse lojtarët do ta përdornin këtë turne prestigjioz të futbollit si platformë për të treguar solidaritet me protestuesit.

Mbrëmjen para ndeshjes kundër Anglisë, kapiteni Ehsan Hajfasi, që luan për një ekip në Greqi, u bë anëtari i parë i skuadrës iraniane që foli për situatën në vendlindjen e tij, duke thënë se “Jemi me ta. Dhe i përkrahim ata. Dhe bashkëndiejmë me ta”.

Të premten, lojtarët Karim Ansarifard dhe Morteza Pouraliganji, nuk iu përgjigjen pyetjeve për solidarizim me gratë në Iran, ndërsa mesfushori Alireza Jahanbakhsh, i cili luan për klubin holandez Feyenoord, sugjeroi se pyetjet e tilla ishin tentim për ta shpërqendruar skuadrën iraniane.

 

Fraksion.com