AktualitetPolitikëTë fundit

Akuzat për importin e energjisë, Rama sqaron situatën: Keqardhja e madhe për prurjet e llumit të gjysëm të vërtetave

Akuzat e opozitës se pavarësisht reshjeve të shiut, qeveria vijon importin e energjisë, kryeministri Edi Rama i ka quajtur shpifje.

Në një reagim të gjatë, ku jep detaje mbi rezervat energjetike, kreu i qeverisë thotë se tani më situata është përmirësuar.

Ai i përgjigjet opozitës duke i thënë se importi ka vijuar deri në datë 19 nëntor pasi në të kundërtën vendi do të rrezikonte furnizimin me drita. Rama thekson se është i keqardhur nga “llumi i gënjeshtrave”.

Statusi i plotë:

Teksa të gjitha strukturat, nga forcat e emergjencave civile, trupat ushtarake, policia e shtetit, punonjësit e sistemit energjetik, drejtues e ministra respektivë ndodhen në terren, në krye të detyrës ditë-natë, vijon paralelisht edhe përmbytja e kanaleve të komunikimit mediatike me shpifje, akuza e spekullime të llojllojshme.

Prurja më e madhe e dizinformimit vjen lidhur me importin e energjisë.

E vërteta është se KESH ka vendosur të importojë energji elektrike sipas procedurës së datës 11 Nëntor, sepse nga të gjitha parashikimet e motit, situata e rreshjeve pritej të intensifikohej vetëm në mesditën e datës 20 Nëntor dhe nëse nuk do të ishte importuar, rezerva energjetike do të ishte në minimalen historike, duke rrezikuar vetë furnizimin normal me energji.

Sasia e reshjeve rezultoi në nivele ekstreme me vlera rekord në basenet e Komanit e të Vaut të Dejës – 150% e parashikimit sipas modeleve ndërkombëtare të analizës së motit! Vetëm në Theth në 12 orë kanë rënë mbi 400 mm shi me intensitet pik deri në 50 mm/orë. Kjo sasi reshjesh u përkthye në prurje që arritën deri në 4000 m3/sek në lumin Drin, ku vetëm në liqenet e Komanit e Vaut të Dejës prurjet anësore shkuan deri 3500 m3/sek. Në këto kushte, qysh në datën 19 Nëntor u morën masat sipas protokolleve përkatëse, duke hapur portat e shkarkimit për të krijuar mundësi akumuluese në të dy këta liqene dhe duke garantuar sigurinë e digave.

Aktualisht punojnë të 9 agregatët e Komanit dhe Vaut të Dejës dhe sërish shkarkohet për shkak të prurjeve të papërballueshme.

Por, duke shkarkuar në mënyrë të kontrolluar, KESH ka siguruar që efekti i reshjeve në zonën e nën Shkodrës të mos ketë mbivendosje! Përkundrazi, e ka zhvendosur me disa orë efektin e Drinit në të gjithë kombinimin e prurjeve ne këtë zonë (ku shkarkon Buna, Kiri, Gjadri, Moraça etj). Kjo zhvendosja me disa orë e efektit të lumit Drin ka bërë të mundur uljen e pikut të prurjeve maksimale në këtë zonë, duke e ulur nivelin maksimal të ujit.

Për të mos e përkeqësuar situatën, të gjitha prurjet në basenin e sipërm të kaskadës, të cilat vijnë nga Drini i zi dhe i bardhë, po akumulohen prej ditësh në liqenin e Fierzës (me aftësi mjaft të mëdha akumuluese) duke mbajtur prodhimin 0 MË. Në këtë mënyrë përmirësohet edhe rezerva energjetike dhe mbetet keqardhja e madhe për prurjet e llumit të gjysëm të vërtetave, të cilat janë edhe gënjeshtrat më të mëdha mbi pasqyrat e (diz)informimit publik.

 

Fraksion.com