Balluku: Akset rrugore të hapura, problematika më e madhe nga reshjet në veri
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku prezanton situatën nga reshjet intensive që kanë përfshirë vendin, duke u ndalur në aksin Burrel-Klos.
Në përditësimin e të dhënave të situatës së reshjeve, Balluku theksoi se ka pasur reshje në të gjithë Shqipërinë.
“Reshje me intensitet të lartë, që kanë qenë të shoqëruara edhe me stuhi në disa nga qytetet e rajonit të Shqipërisë. Ka patur erë të fuqishme që ka krijuar problematika duke shkulur dhe sinjalistika rrugore edhe duk krijuar probleme të tjera me pemë dhe me gurë”, tha ajo.
Po ashtu, Balluku shtoi se problemet më të mëdha kanë qenë në veri për shkak të prurjeve të përrenjve.
“Sigurisht, situata është paraqitur më e vështirë në ato zona ku zakonisht prurjet e lumenjve ndikojnë sic është Vlora, Durrësi apo Shqipëria e Mesme në pjesë e Elbasanit, por duhet thënë se situata më e rënduar është në veri për shkak të relievit gjeografik të përrenjve pasi edhe kur janë në kushte normale sjellin inerte që dalin në akse rrugore”, tha ajo.
Balluku shtoi se intensiteti ka qenë shumë i lartë. “Kjo provohet edhe me prurjet që kemi në Koman dhe Vaun e Dejës ku kemi arritur ne 2000 m3 në sekondë dhe sigurisht Valbona dhe Sharra kanë sjelle problematiken më të madhe. Ndërkohë në zonë e Fierzës ku priteshin të kishte reshje më të mëdha, në zonë e Drishtit reshjet kanë qenë me intensitet mesatar dhe të ulët”, tha ajo.
Balluku theksoi se akset rrugore janë të hapura, ekipet e mirëmbajtjes janë në terren.
Fraksion.com