AktualitetPolitikëTë fundit

Porti i Durrësit, Rama: Si mund të akuzohen investitorë si Alabbari për pazarllëqe të nivelit të Gërdecit

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish sot ndaj akuzave të opozitës lidhur me investimin në Portin e Durrësit nga kompania e Muhammed Alabbar.

Në një postim në twitter, Rama thotë se kompania e Alabbarit është një nga më prestigjiozet në industrinë globale të turizmit.

Ai thekson se investimi në Portin e Durrësit nga kjo kompani, do të ndikojë direkt në ekonominë e Shqipërisë.

“Çfarë s’po na dëgjojnë veshët për një prej kompanive më prestigjoze të Lindjes së Mesme dhe një prej investitorëve më të vlerësuar në industrinë globale të turizmit, që është fat, nder dhe mundësi e paçmuar t’i angazhojmë si partnerë të shtetit në Durrës! Në një harmoni fatale të injorancës me ligësinë, motivuar prej urrejtjes politike si mishërim i mallkimit që e përndjek këtë vend në rrugën e shtetbërjes qysh prej 1912, ka plasur e dalë rrugëve një llum i pashoq akuzash mbi gjysëm të vërteta që janë edhe gënjeshtrat më të mëdha! Investimi më i madh i huaj në rajon, që do të transformojë Durrësin e Shqipërinë dhe do impaktojë drejtëpërdrejtë ekonominë kombëtare, trajtohet si aferë katundi për pula, ndërsa kontrata më gjatë e negociuar e shtetit shqiptar me një palë tjetër, lexohet si defter hallvaxhinjsh”, shprehet Rama.

Kreu i Ekzekutivit nënvizon se shteti shqiptar do të jetë aksioner me 33%.

“Mirë vetes i thua duro si ke duruar se të dinë si veten e s’ke ç’u bën, po sekëlldi e madhe t’u shpjegosh të huajve se si mund të kulmojnë kaq lart injoranca me ligësinë dhe si mund të akuzohen investitorë të kalibrit të Muhammed Alabbarit për pazarllëqe të nivelit të Gërdecit! Shteti shqiptar ortak me 33% në një investim të huaj s’ka qenë kurrë dhe për këtë kemi negociuar kaq gjatë, e s’i ramë shkurt me ligjin e Shqipërisë 1 €uro siç do kishin bërë përbaltësit tanë pasi t’i kishin kërkuar 33% për vete apo siç e kishin zakon të thoshin “gjys për gjys””, deklaron Rama.

Ai bën me dije se të gjitha faktet për këtë investim, do t’i paraqesë javën e ardhshme në Kuvend.

“Po mezi po e pres seancën e parlamentit javën tjetër, ku të gjitha faktet do t’i ndajmë mirë e mirë me shqiptarët, se me të shiturit për rubla e me urrejtësit profesionistë të banaqeve mediatike, s’ka të bardhë që nuk kthehet në të zezë dhe s’ka diell që nuk mbulohet me shoshë”, shprehet Rama.

 

Fraksion.com